Iraku ndalon alkoolin, ankohen të krishterët: Kufizim i lirive, nuk është demokraci

schedule10:23 - 6 Mars, 2023

schedule 10:23 - 6 Mars, 2023

Politikanët e krishterë në Irak po përpiqen të rrëzojnë një ligj të ri të miratuar në vend, që ndalon importin dhe shitjen e alkoolit.  Të shtunën, doganierëve iu dhanë urdhra që të nisnin zbatimin e ligjit, të miratuar muajin e kaluar, pavarësisht kundërshtimeve.

Grupi i krishterë, që ka 5 deputetë në parlamentin e Irakut, e dërgoi ligjin në gjykatë, duke e quajtur jodemokratike.

Konsumimi i alkoolit në ambientet publike është i ndaluar në Irak, ku shumica e popullsisë janë të besimit mysliman, por alkooli mund të blihet në dyqane të posaçme dhe lokale të licencuara.

Ligji ishte miratuar fillimisht në vitin 2016, por hyri në fuqi vetëm në shkurt, pasi u botua në fletoren zyrtare. Sipas tij, ndalohet shitja, importi dhe prodhimi i alkoolit. Për kundërvajtësit zbatohet një gjobë që arrin deri në 25 milionë dinarë irakianë, ose 16 mijë euro.

Të krishterët, anëtarë të Lëvizjes Babilonase, thonë se ligji është antikushtetues sepse nuk njeh të drejtat e pakicave dhe kufizon liritë e tyre. Gjithashtu, sipas tyre ligji bie ndesh me një tjetër dekret qeveritar, sipas të cilit aplikohet një taksë 200% e vlerës mbi pijet alkoolike të importuara nga jashtë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!