Drita shënoi dy herë në pjesën e dytë dhe mposhti Dukagjinin e vendit të fundit. Sfida e zhvilluar në Gjilan, nuk ishte aspak e lehtë për kryesuesit e kampionatit dardan, të cilët humbën edhe një penallti në minutën e 49-të. Miqtë nga Klina rezistuan rreth një orë lojë.
“Veterani” i mbrojtjes, Liridon Leci gjeti golin e avantazhit në minutën e 58-të, ndërsa Astrit Fazliu qetësi shokët e skuadrës me golin e shënuar në minutat e fundit. Suksesi i gjashtë radhazi për Dritën, që ngjitet në kuotën e 58 pikëve dhe marshon drejt titullit kampion.
IPKO Superliga e Kosovës, java e 27-të
Drenica-Trepça ’89 2-4
(Shillova 16′, Hyseni 20′ / Avdyli 7′, Hoti 28′, Emini 58′, Ahmeti 88′)
Drita-Dukagjini 2-0
(Leci 58′, Fazliu 87′)
Flamurtari-Ferizaj 3-2
(Kelmendi (pen) 43′, 57′, Shala 50′ / Asani 56′, Orana 84′)
Dy ndeshjet e tjera prodhuan emocione dhe shumë gola. Flamurtari vijon formën e mirë dhe triumfoi në kryeqytet 3-2 kundër Ferizajt, duke iu larguar me pesë pikë zonës së rrezikut, ndërsa Ferizaj mbetet në vend të tretë nga fundit.
Trepça ’89 shënoi katër gola në fushën e Drenicës, befasoi vendasit dhe u kthye në Mitrovicë me tre pikë jetike. 2-4 u mbyll e gjithë ndeshja, rezultat që i jep moral dhe besim ekipit mik për të evituar rrëzimin nga kategoria. /abcnews.al