Investitorët gjermanë: Situata ekonomike në Shqipëri, negative

schedule20:27 - 8 Qershor, 2021

schedule 20:27 - 8 Qershor, 2021

Rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe tregtisë në Shqipëri, tregojnë se situata aktuale ekonomike në vend duket më pak pozitive se viti pandemik.

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të shoqatës për periudhën mars-prill 2021, 63 % e të anketuarve e vlerësuan negativisht situatën ekonomike. Vetëm 8% e cilësuan më “mirë” situatën ekonomike. Sipas këtij anketimi, Siguria ligjore shihet si një ndër rreziqet më të mëdha për investimet.

Të dhënat treguan se bizneset kanë qenë përgjithësisht më skeptike ndaj zhvillimit të vendit, dhe më optimistë për sa i përket bizneseve të tyre, çka tregon rënien e dëshirës për të ri-investuar në vendin tonë. Në publikimin e këtyre të dhënave, ishte i pranishëm edhe Ambasadori Peter Zingraf, i cili theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe transparencën si vendimtare në klimën e biznesit.

se “Sundimi i ligjit dhe transparenca kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vendimtare për klimën e investimeve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe procesin e integrimit në BE. Tashmë është e rëndësishme që hapat e ndërmarrë deri më tani, në këto fusha, të ndiqen në vazhdimësi” tha ai.

Për të zbutur pasojat ekonomike të pandemisë, ambasadori sugjeroi që të ndiqet shembulli i Gjermanisë e cila mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes një strukture këshilluese dhe programeve të  garantimit. d.b/Abcnews.al