Investitorët e huaj të shqetësuar për sistemin gjyqësor dhe krahun e punës

schedule16:50 - 13 Korrik, 2022

schedule 16:50 - 13 Korrik, 2022

Sistemi i drejtësisë shqiptare po fut në ngërç edhe investitorët e huaj. Ky shqetësim u ngrit gjatë  prezantimit të një sondazhi për klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021-2022. Sipas drejtores së shoqatës së investitorëve të huaj mungesa e gjyqtarëve ka  çuar në zvarritjen e çështjeve duke i krijuar bizneseve të huaja pasiguri. Të tjera pengesa në klimën e të bërit biznes u renditën edhe korrupsioni dhe burokracitë.

“Sistemi gjyqësor në Shqipëri dhe ndikimi që ai ka tek biznesi është e fundit dhe ka pësuar rënie, pra nga anëtarët tanë nga diskutimet si dhe kompanitë e tjera në Shqipëri gjetja jonë është që sistemi gjyqësor në Shqipëri vijon të mbetet problematik. Kjo situatë  jo vetëm nga pandemia por edhe nga procesi i Vettingut ne e dimë që ka një mungesë gjyqtarësh dhe një çështje gjyqësore do vite që të trajtohet dhe ky është problem serioz për investitorët e huaj.”

Ministrja e financave Delina Ibrahimaj e pranoi këtë problematik por tha se situata do ndryshoj me përfundimin e reformës në drejtësi. Një tjetër vështirësi që u konstatua nga investitorët e huaj ishte edhe mungesa e krahut të punës.

“Për sa i përket tregut të punës kemi mungesë të personave të kualifikuar. Bizneset kanë shumë probleme sepse profesionistët po emigrojnë dhe ky është problem serioz. Tregu i punës nuk është kualifikues për sa i përket pagave.”

Për sa i përket mungesës së profesionistëve ministrja e financave u shpreh se janë në diskutim për të reformuar arsimin profesional.

Bizneset e huaja  që operojnë në Shqipëri kanë ngritur pikëpyetje edhe në lidhje me amnistinë fiskale dhe penale. Por sipas ministres kjo nismë është e domosdoshme në një kohë që në vend qarkullojnë shumë para informale.

“Ne po e ripropozojmë amnistinë .Një nga problemet e ekonomisë sonë mbetet informaliteti sidomos në biznese dhe ne po i trajtojmë… po ashtu ka edhe shumë para Cash që ndikojnë në informalitet dhe që nga 90 nuk ka pasur ndonjë nismë të tillë dhe ne synojmë që të bëjmë një amnisti për paratë cash…Synojmë një vit 0 por është edhe situata e vështirë për të gjetur financime dhe kjo na shtyn për një ligj të tillë. Jemi munduar të krijojmë instrumentet e duhura për të gjurmuar informalitetin .

Klima e të bërit biznes në Shqipëri është vlerësuar me rënie edhe në raporte të mëparshme të prezantuar nga  përfaqësi të biznesit të huaj. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!