Edi Rama ishte sot në Paris, ku u prit në një takim zyrtar nga presidenti francez Macron. Në përfundim të takimit, kryeministri i Shqipërisë në një prononcim për mediat zbuloi temat e bisedës që diskutuan në drekën e punës. Fillimisht, kreu i qeverisë shqiptare u ndal te investimet e Francës në Shqipëri.
“Ishte një ftesë e presidentit, kishim disa kohë që nuk ishim takuar dhe ai dëshironte që të kalonte një drekë pune me mua për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë franceze për zhvillim që është angazhuar për financimin e tre projekteve, më i rëndësishme është finalizimi i gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore në ujësjellësin e Durrësit dhe për të garantuar edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, sistemin elektroenergjetik dhe një program për gratë dhe vajzat. Folëm edhe për investimet e Francës për investimet në energji në Shqipëri, parku voltaik, më i madh i rajonit në Karavasta. Kemi folur për planin Europian të investimeve për Ballkanin” tha Rama.
Më pas tema e bisedës u fokusua në rajonin që “zien” në cdo moment. “Kemi qëndruar gjerë e gjatë për situatën në rajon, ecurinë mes vendeve të rajonit, procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, për procesin Shengenit rajonal dhe tema të tjera”.
I pyetur nga gazetarët, nëse Macron i kërkoi që të ishte ndërmjetës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Edi Rama tha se nuk ishte njeriu i duhur për të bërë një gjë të tillë, pasi është palë.
“Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar, pasi jam palë dhe si palë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe Kosovës bashkë dhe ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë që të çojnë përpara dialogun sikur e mendojnë të arsyeshme, me të gjithë mbështetjen time, të qeverisë sot dhe nesër në Tiranë. Mund të kemi qasje të caktuara, por qëllimi është i njëjtë. Unë jam palë”.
Një koment në fund edhe për integrimin, që duket se nuk ishte pjesë e drekës. “Është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë që nuk ka asnjë sekret, sekreti më i madh publik është; ne i kemi bërë detyrat tona, do të varet nga situata brenda KE-së dhe dinamikat brenda vendeve të BE-së” përfundoi Edi Rama./ db/ Abcnews.al