Investimet në ferma, 50 përqind nga qeveria/ Jaupllari shpjegon skemën kombëtare, Vuksani: Duhet rritje e buxhetit

schedule20:29 - 20 Shtator, 2024

schedule 20:29 - 20 Shtator, 2024

Zëvendës ministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari shpjegoi në emisionin “Sheshi i Dollarit” skemën mbështetëse të qeverisë për fermerët për vitin 2024. Ai tha se skema kombëtare e këtij viti është në fazën përfundimtare ndërsa shtoi se do të përfitojnë edhe fermerë të prekur nga ndryshimet klimatike.

“Skema kombëtare e këtij viti është në fazën përfundimtare për t’u dhënë paratë të gjithë fermerëve edhe pse një pjesë e buxhetit nuk është rialokuar akoma. Skema e re e mbështetjes me grante është një mbështetje tjetër që qeveria i bën bujqësisë, por në këtë rast, janë të përcaktuara saktë se kush dhe çfarë duhet të mbështetet dhe jemi fokusuar në 5 drejtime kryesore, prioritare për zhvillimin e bujqësisë. E para mbështetja me sera, do të mbështeten perimet, rrushi i tavolinës dhe luleshtrydhet.
Mbështetja do të jetë jo më pak se 0.2 hektarë dhe jo më shumë se dy hektarë. Masa e mbulimit është 50 përqind e vlerës totale të faturave tatimore që një fermer do të shpenzojë për ndërtimin e një sere, do t’i përfitojë grant nga kjo skemë. E ndarë për çdo kategori, për perimet do të jetë 15 milionë lekë për hektarë, për rrushin 18 milionë lekë dhe luleshtrydhet 14 milionë lekë për hektarë sipas përllogaritjeve që janë bërë se sa shkojnë shpenzimet për të ndërtuar një lloj kategorie të këtyre serave.
Në Shqipëri kemi edhe dëmtime të mëdha si pasojë e kushteve klimatike, të cilat kanë bërë dëme sidomos në Korçë dhe jug te pemët frutore, te mollët, mandarinat dhe vreshtat prandaj rrjetëzimi ka qenë një nga objektivat e qeverisë. Me rrjetëzimin do të mbështesim fermerët dhe masa e mbulimit do të jetë 50 përqind, jo më pak se një hektarë dhe jo më shumë se 5 hektarë. Për çdo hektar, vlera do të jetë 1.5 milionë.”, u shpreh Jaupllari.

Ndërkohë, Gjok Vuksani nga departamenti i Bujqësisë në PD tha se buxheti i shtetit për ministrinë e Bujqësisë është ulur. Duke u ndalur te skema kombëtare për fermerët, ai ngriti disa pikëpyetje. Sipas tij, duhet që së pari të ishte bërë një studim për të përcaktuar problemet kryesore të bujqësisë.

Sa i përket fermerëve të prekur nga ndryshimet klimatike, ai tha se duhet aplikuar siguracione.

“Mendoj se duhet të sqarojmë shifrat. Akti normativ i qeverisë së fumdi nuk ka shtuar fondin për bujqësinë. Nga 141 milion euro është reduktuar në 139 mln euro sipas tabelës së buxhetit të shtetit të miratuar në parlament. Kemi ulje rreth 2 përqind të buxhetit për ministrinë e Bujqësisë. Më e rëndë është se janë prekur programi i sigurisë ushqimore, që është reduktuar me 134 milionë lekë, është prekur zhvillimi rural dhe menaxhimi i tokës dhe vetëmështë rritur programi për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes. I thashë këto shifra, për të thënë se premtimi që ka dhënë ministrja nuk ka ndodhur. Nuk është rritur por është ulur me 2.5 milionë euro.

Skema e mbështetjes është një shumë prej 5 milionë eurosh, është brenda buxhetit që ka ministria e bujqësisë. Nuk është shtesë. Këtu ka disa pikëpyetje, momenti i parë a është bërë një studim paraprak për të përcaktuar se cilat janë problemet kryesore të bujqësisë. A është problem kryesor blerja e koshave të peshkut apo tonit, të disa personave që në një farë mase po i u ecën bizneset. E dyta, është që këto studime që janë bërë a kanë parashikuar se sa do të jetë fondi dhe impakti që këto para do të kenë në bujqësinë shqiptare. Tjetra është se gjithë bota po flet për ndryshimet klimatike, për masat për rrjetet që mos është e pjesshme. Duhet të vendosim siguracione në bujqësi, të cilat do të sigurojnë edhe nga breshëri dhe nga përmbytja apo zjarri.”, tha Vuksani./abcnews.al