Investimet nga Kosova kanë regjistruar një dyfishim në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se në periudhën korrik–shtator në vend janë realizuar investime në vlerën e 90 milionë eurove, duke shënuar një rritje të fortë krahasuar me tremujorin paraardhës, por edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen kryesisht në shërbime dhe tregti, ku po zgjerohen në tregtinë me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, por edhe në industrinë përpunuese.
Në vend të dytë vijon të pozicionohet Italia me 48 milionë euro investime, të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe energji të rinovueshme. Holanda renditet në vend të tretë me 45 milionë euro, ndërsa Turqia ka zbritur në vend të katërt me 39 milionë euro investime në tremujorin e tretë.
Edhe nëse bëjmë një krahasim në bazë 9-mujore, Kosova vijon të pozicionohet e para për sa i përket investimeve, duke arritur vlerën 153 milionë euro. Ndërkohë, në vend të dytë renditet Italia me 137 milionë euro.
Shqipëria ka thithur më shumë investime gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar–shtator, totali i investimeve të huaja direkte arriti mbi 1.2 miliardë euro, duke u rritur me 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, nëse vërejmë të dhënat për periudhën korrik–shtator, rritja është edhe më e fortë. Investimet e huaja direkte arritën në 449 milionë euro, me një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Përqendrimi kryesor i investimeve mbetet në blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë të vitit 2025, flukset hyrëse ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme (31%), ndërmjetësim financiar (16%), hidrokarbure (6%), energjetikë dhe komunikacion.
Vetëm për blerjen e pronave janë investuar 392 milionë euro, ose 123 milionë euro më tepër se një vit më parë, ndërsa për agjentët imobiliarë Shqipëria mbetet një treg me interes të lartë për investitorët e huaj.
Investimet sipas shteteve
-
Kosova – 90 milionë euro
-
Italia – 48 milionë euro
-
Holanda – 45 milionë euro
-
Turqia – 39 milionë euro
Investimet janar–shtator
-
Kosova – 153 milionë euro
-
Italia – 137 milionë euro
-
Holanda – 130 milionë euro
-
Turqia – 128 milionë euro
/ abcnews.al /

