Banorët e Floqit të Librazhdit ankohen se punimet për rehabilitimin e qendrës së fshatit kanë mangësi të theksuara. E vetmja ndërhyrje që është bërë është shtrimi i sheshit me pllaka.
“Qendra e fshatit nuk ka përfunduar plotësisht u shtruan ca tulla. Kërkojmë të përfundojë me lulishte çezmë dhe drita për fshatin. Ky shesh nuk është funksional, s’ka stola të ulemi në pleqtë. Projekti ka mbetur për gjysmë. Na thanë që do bëhej në vjeshtë nuk u bë, të shohim në pranverë. Duhet bërë lulishtja anash që llumi që del të pengohet të mos hyjnë në shesh, të rrijë gjithmonë i pastër”, thotë banori i zonës.
Bashkia e Librazhdit për rehabilitimin e shesheve të fshatrava Floq dhe Togëz caktoi një vlerë prej 8 milionë lekë pa tvsh dhe për punimet përzgjodhi kompanitë “Mona” dhe “Liqeni VII”. Kryeplaku I Floqit, Medi Hasballa tregon se i kërkuan llogari dhe administratorit të kompanisë “Mona shpk”, që ka fituar tenderin.
“Më tha që lulishtet dhe stolat do ti venë më vonë se nuk ka marrë fondin nga bashkia. La dhe dritat e ka lënë punimet përgjysmë.”
Abc pyeti në Bashkinë e Librazhdit, na u dhanë sqarime sipërfaqësore për kontratën, kompanitë që kanë fituar tenderin, vlerën e investimit dhe afatet kohore të nisjes dhe përfundimit të projektit. Nuk na u dha informacion nëse firma ndërtuese i ka marrë të gjitha fondet për të çuar investimin deri në fund dhe asgjë në lidhje me përmbajtjen e projektit. Sipas kontratës investimi duhet të përfundonte në 1 korrik të vitit të kaluar.
Por është e qartë se ka mbetur në mes. Ndërsa bashkia ende nuk e ka marrë në dorëzim.
Banorët janë ankuar dhe tek Kontrolli i lartë i Shtetit.
“I dërguam një letër Kontrollit të Shtetit na u kthye përgjigje na thanë që problemet që ngrin janë të drejta do verifikojmë kur të bëjmë auditimin e Bashkisë Librazhd. S’jemi të qartë se çfarë projekti është bërë. Mendojmë se ka abuzime me fondet I kemi thënë e Kryetarit të Bashkisë.”