INTERVISTA/ Peng edhe Shqipëria, kryeministri i ri bullgar shpalos kushtet për zhbllokimin e Maqedonisë

schedule10:29 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 10:29 - 8 Dhjetor, 2021

Der Spiegel

Me premtimin e tij për të luftuar pamëshirë korrupsionin në vend, i diplomuari në Universitetin e Harvardit në SHBA, Kiril Petkov, arriti disa javë më parë një fitore të papritur në zgjedhjet e reja të parakohshme në Bullgari, me partinë e tij “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, të cilën ai e themeloi në fillim të vjeshtës.

Në një intervistë për “Der Spigel” 41-vjeçari thotë se shpreson të ketë sukses në ri-shpikjen e vendit të tij, i cili prej kohësh ka pasur një reputacionin shumë të keq, si vendi më i korruptuar në BE.

Ai parashtron edhe kushtet që do të vendosë qeveria e re ndaj Maqedonisë së Veriut për të hequr veton ndaj nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE, në një proces të cilit i është bashkëngjitur edhe Shqipëria.

Nga maji deri në shtator të këtij viti, ai shërbeu si Ministër i Ekonomisë në qeverinë të përkohshme. Tashmë ai shpreson të bëhet kryeministër i një koalicioni qeveritar 4-partiak që në fillim të javës së ardhshme.

Zoti Petkov, a jeni pranë formimit të qeverisë së re të koalicionit?

Ende jo. Por ka përfunduar tashmë puna e 18 grupeve të punës,negociatat e të cilëve janë transmetuar online dhe janë transparente për të gjithë. Ne po përpiqemi të bëjmë bashkë 4 parti me histori shumë të ndryshme dhe platforma të ndryshme partiake.

Duke përfshirë Partinë Socialiste Bullgare, pasuesit e Partisë Komuniste Bullgare…

Po, por ajo që ka rëndësi është që unë dua të marr postin e kryeministrit, ndërsa bashkëthemeluesi i partisë tonë Asen Vasilev, do të bëhet Ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër, duke pasur përgjegjësi për energjinë dhe ekonominë, në një lloj super-ministrie.

Dy të diplomuar nga Harvardi në krye të vendit më të varfër në Bashkimin Evropian. A është kjo një shenjë se gjërat do të fillojnë të përmirësohen në këtë vend?

Vasilev dhe unë njihemi që nga viti 2006 kur studionim në Harvard. Dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur leksione këtu si pjesë e “Programit të Harvardit”. Pra, për 15 vjet kemi predikuar se çfarë mund të bëhet me Bullgarinë, me këtë vend të vogël por të mrekullueshëm.

Në aspektin politik, Asen dhe unë punojmë sipas parimit të kontrollit të dyfishtë. Nuk merret asnjë vendim që nuk është miratuar nga tjetri. Kjo shërben si një formë kontrolli dhe balancimi.

Në Evropën Perëndimore, ju shiheni si një burim shprese në luftën kundër korrupsionit endemik në Bullgari, dhe jo për shkak të përvojës suaj jashtë vendit.

Por edhe në pjesë të Evropës Lindore.

Ku do ta vendosnit veten dhe partinë tuaj ende shumë të re në spektrin politik bullgar?

Nuk jemi lehtësisht të klasifikueshëm. Nuk jemi as të djathtë dhe as të majtë. Dhe kjo është një gjë e mirë, sepse nëse beson ende tek ideologjitë, atëherë nuk je duke përdorur trurin tënd.

Cili është identiteti thelbësor i “Ne Vazhdojmë Ndryshimin?”

Ne jemi një parti e re, por votuesit kanë pasur mundësi të më testojnë mua dhe Asen si ministra në qeverinë e përkohshme gjatë këtij viti. Ata e besuan qasjen tonë kundër korrupsionit. Dhe tipari ynë si parti, duhet të jetë ai që ne i mbajmë premtimet tona.

Ne nuk mund të premtojmë pasurim të të gjithëve, por mund të premtojmë punë të palodhur dhe zero tolerancë për korrupsionin. Do ta zbatojmë ligjin pa pasur mëshirë për askënd. Ne duam që ta shndërrojmë stigmën e korrupsionit që i është ngjitur Bullgarisë, në një histori suksesi të një vendi që e kapërceu këtë problem.

Është një premtim që e kanë bërë shumë të tjerë përpara jush…

Ndryshimi është se ne e kemi bërë punën tonë që nga fillimi. Partia jonë refuzon mbështetjen financiare nga oligarkët që kanë interesa politike. Nuk ka njeri që mund të më telefonojë dhe të më thotë:“Kiril, tani duhet ta bësh këtë apo atë për mua”. Si mund ta përballojmë këtë qasje të re? Shumë njerëz në grupin tonë kryesor janë të diplomuar në “Programin e Harvardit” këtu në Bullgari, dhe janë juristë, mjekë, njerëz në sektorin e IT.

Bojko Borisov, që ka qenë në pushtet për gati 12 vjet, dhe ishte më herët truproja i liderit të Partisë Komuniste, Todor Zhivkov, është ende me partinë e tij, forca e dytë më e fortë në vend. Mbështetësit e tij janë në shërbimin civil dhe në shërbimet sekrete. Si planifikoni të merreni më këtë gjë?

Në 32 vite që nga rënia e komunizmit në 1989, partitë kanë ndryshuar, por të njëjtët manipulatorë politikë, njerëz me shumë lidhje, e kanë dominuar gjithmonë skenën politike. Ne nuk jemi të përfshirë me asnjë prej tyre. A mund të na sabotojnë në punën tonë? Këtë do ta shohim.

Sa solide është demokracia bullgare, kur një parti si e juaja del fituese në zgjedhje vetëm pak javë nga themelimi i saj?

Lajmi i mirë është se votuesit u mërzitën nga gjithçka tjetër. Gjatë katër muajve që unë dhe Asen ishim ministra, ne zbuluam skemën e madhe të mashtrimit në Bankën Bullgare për Zhvillim, si dhe vjedhjet në projektet e ndërtimit të rrugëve. Është e qartë se njerëzit duan ndryshim.

Vendi juaj po bllokon fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut në baza të dobëta. Do të bëni ndonjë gjë për këtë?

Duhet të ngremë grupe pune, dhe t’i lëmë ata të ulen dhe bisedojmë për 6 muaj, që të mos jenë dominues vetëm nacionalistët nga të dyja palët.

Pse nuk ka një linjë direkte ajrore dhe as hekurudhore midis Sofjes dhe Shkupit? Le të flasim më shumë mbi ekonominë sesa mbi interpretimet e ndryshme të historisë së përbashkët.

Apo për tekstet shkollore të Maqedonisë së Veriut, ku pretendohet se bullgarët janë fashistë. Dhënia e dritës jeshile për negociatat e anëtarësimit tani,do të forconte pa asnjë diskutim nacionalistët në të dy kampet. Në zgjidhjen e këtij ngërçi do të bazohemi tek negociatat dhe jo tek propaganda. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!