Intervista/ Pas betimit, Tavo për ABC News: Takimi i parë me operatorët turistikë. Bashkia e hapur për qytetarët!

schedule12:02 - 30 Shtator, 2024

schedule 12:02 - 30 Shtator, 2024

Në një intervistë për ABC News, menjëherë pas betimit si kryebashkiak i Himarës, Vangjel Tavo tha se takimin e parë që do të kryejë do të jetë me operatorët turistikë, me qëllim zgjidhjen e problematikave që ata kanë.

Tavo theksoi se dyert e bashkisë së Himarës do të jenë gjithmonë të hapura për qytetarët e saj.

Intervista 

Cila sot do të jetë puna juaj e parë, në krye të Bashkisë së Himarës?

Sikurse e kam thënë sot pas marrjes së detyrës takimi i parë pas takimit me administratën, stafin e Bashkisë do të jetë takimi me operatorët turistikë për t’i dëgjuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik që sapo lamë pas, edhe pse vijon ende në Himarë, dhe për problematikën që kanë hasur. Për të marrë masa ne si bashki, në mënyrë që këto probleme që ata kanë hasur të mos i hasim vitin tjetër, pra t’i zgjidhim në kohë në mënyrë që sezoni tjetër turistik të jetë edhe më i suksesshëm se viti sezoni turistik që po lëmë pas.

Çfarë do të kërkoni sot që keni marrë detyrën, pro dhe nesër që është data 1 tetor, nga stafi i bashkisë ë Himarës referuar gjithë atyre shqetësimeve që kërkojnë banorët?

Ata që kam thënë vazhdimisht, përgjegjshmëri dhe përgjegjësi maksimale në trajtimin e çështjeve të qytetarëve të kësaj bashkie dhe angazhim maksimal për të zgjidhur këto problem të qytetarëve. Zyrat e bashkisë s Himarës, të kryetarit të bashkisë dhe të gjithë sektorët, do jenë të hapur dhe mikpritëse për të gjithë qytetarë e vet.

Pronat një shqetësim i Bashkisë, ku do të konsistojë Tavo, në drejtimin e bashkisë së Himarës?

Çështja e pronave tashmë është një cështje që ka marrë rrugën e zgjidhjes, ka rreth 5 muaj që po trajtohet janë disa mijëra certifikata pronësie të shtëpive që janë shpërdarë dhe vijojnë të shpërndahen. Jemi pothuajse, mund të thosha në 1/3 e fundit të këtij procesi për tu pajisur të gjithë qytetarët e Himarës me titujt e pronësisë së shtëpive të tyre, dhe për të filluar më pas me trajtimin dhe certifikimin e AMTP-ve, të tokave bujqësore të shpërndara me ligjin 7501.

Një komet i shkurtër. Ka munguar opozita në mbledhjen e sotme të Këshillit të Bashkisë.

Nuk mund të them se ka munguar opozita. Nëse e ke vënë re, atje ishin 17 këshilltarë nga 21, pra kanë munguar katër veta të opozitës, pjesa tjetër, opozitarët ishin atje, sepse gjithsecili ka përgjegjësinë për të përmbushur detyrimin moral karshi atyre qytetarëve që i kanë votuar, për t’u bërë pjesë sot në ditën e konstituimit tim si kryetar bashkie.

‘Dera e bashkisë do jetë gjithmonë e hapur’, ky është refreni që keni përsëritur shpesh gjatë ditës së sotme..

Padyshim, e ritheksoj, dera e Bashkisë së Himarës e administratës do të jetë gjithmonë e hapur për qytetarët e kësaj bashkie dhe jo vetëm, për të trajtuar problemet dhe shqetësimet e tyre dhe për t’u dhënë zgidhje këtyre problemeve.