Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit ka refuzuar kërkesën e Bosnje dhe Hercegovinës për shpalljen e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Milorad Dodikun dhe Nenad Stevandiçin, ka konfirmuar Klix.ba.
Këtë informacion e ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale edhe vetë Dodik.
“Presidenti Aleksandar Vuçiç sapo më telefonoi për të më informuar se ka marrë njoftim nga Drejtoria e Interpolit se ankesa e Serbisë është pranuar dhe se Interpoli ka refuzuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për të lëshuar një urdhër të kuq për mua dhe Stevandiçin”, tha ai.
Управо ме позвао предсједник Александар Вучић @avucic да ми саопшти да је добио обавјештење Директората Интерпола да је уважена жалба Србије и да је Интерпол одбио захтјев Суда БиХ за расписивање црвене потјернице за Стевандићем @nenad_stevandic и за мном.
Хвала предсједнику…
— Милорад Додик (@MiloradDodik) April 2, 2025
Siç ka shpjeguar Interpoli, kërkesa është refuzuar bazuar në nenin 3 të statutit të Interpolit, i cili ndalon ndjekjen penale për motive politike.
Fillimisht Serbia ka paraqitur një kundërshtim ndaj kësaj kërkese pranë Interpolit, ndërsa më pas e njëjta gjë është bërë edhe nga Hungaria.
Më 27 mars, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës i kërkoi Interpolit shpalljen e këtij urdhër-arresti ndërkombëtar për Dodikun, pasi ai kishte lënë vendin dhe kishte udhëtuar në Serbi, më pas në Izrael dhe Rusi, ndërkohë që në Bosnje dhe Hercegovinë ishte shpallur një urdhër-arrest i brendshëm dhe një mandat për arrestimin e tij./abcnews.al