Pas disa javësh, interneti do të bllokohet për miliona përdorues në mbarë botën. Bllokimi do të ndodhë më 11 Tetor, pasi do të ndërrohen “çelësat e sigurisë” që mbrojnë një pjesë të rëndësishme të internetit.
Ky proces quhet “KSK Rollover”, dhe në këtë pikë shumë përdorues mund të shikojnë një njoftim “probleme me serverin”. Për përdoruesit që do të preken nga ky “blackout”, problemet do të shfaqen më 11 Tetor ose 48 orë me vonesë.
Kjo do të ndodhë për shkak se shumë nga serverat që menaxhojnë internetin ruajnë një kopje për dy ditë. Për herë të fundit, ky proces u bë në vitin 2010 dhe ky sistem sigurie i quajtur KSK-2010 nuk do të jetë më i vlefshëm, ndërsa “çelësi i ri i sigurisë” do të quhet KSK-2017.
“Çelësat e sigurisë” janë të projektuar që të mos keqpërdoren dhe të mos sulmohen pjesë të caktuara të internetit. Këto të dhëna sigurie ndërrohen për shkak se në ditët e sotme është teorikisht e mundur që kompjuterët e fuqishëm të gjejnë kodet e enkriptuara. Përveç rënies së serverit, përdoruesit e internetit nuk do të shohin asnjë ndryshim tjetër gjatë navigimit në internet. Koorporata e internetit thotë se nuk do të preket e gjithë bota nga ndryshimi i kodeve të sigurisë, por vetëm një pjesë e përdoruesve, rreth 36 milionë në të gjithë botën nga 3.58 miliardë. /tvklan.al