Mauro Ikardi shënoi 4 gola dhe Interi u kthye tek fitoret e thella në Serinë A. Skuadra milaneze triumfoi në fushën e Sampdorias dhe mbetet me shpresë për t’u kualifikuar për në Champions
Ku kishte qenë deri tani kjo skuadër?
Pas kaq shumë gabimeve, Interi i Luçiano Spaletit u kthye aty ku ishte muaj më parë, duke arritur një fitore të madhe.
Brenda në Gjenovë, triumfoi 5-0 ndaj Sampdorias vendase, në një ndryshim kaq radikal saqë habiti edhe tifozët më të zjarrtë zikaltër.
Nën udhëheqjen e kapitenit Mauro Ikardi, Interi shpërtheu rreth mesit të pjesës së parë duke shënuar 4 gola në vetëm 18 minuta.
Ikardi ishte vërtet i shkëlqyer duke realizuar katër herë, e duke qenë tani shumë pranë Çiro Imobiles që kryeson listën e shënuesve të Serisë A.
Sulmuesi i Lacios ka 24 gola, ndërsa ai interist mbërriti në 22.
Fitorja bëri që Interi të ngjitej në kuotën e 55 pikëve, duke qenë në pozita të mira për t’u kualifikuar sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.
Nëse do të realizohej kjo, Spaleti do të kishte të drejtë të ndihej i kënaqur, pasi këtë edicion lombardët nuk morën pjesë në asnjë kompeticion europian.
Sidoqoftë, me kaq shumë zhgënjime që i ka shkaktuar tifozëve deri tani, skuadra e shquar italiane nuk mund të ndihet e sigurt që do t’i arrijë objektivat.
Aq më tepër, në një kampionat ku konkurrenca për në Champions është e madhe, dhe për dy vende luftojnë për momentin Interi, Roma e Lacio, por shanse ka edhe Milani./abcnews.al