Një ndeshje e madhe do të luhet në Grupin B, në Ligën e Kampionëve. Interi pret Tottenham-in në Milano, ndërsa italianët rikthehen në këtë nivel pas 6 vitesh.
Ky ishte moment i madh.
Për fat të keq, Interi tri herë në majë të Europës, do të duhet të kënaqet qoftë edhe me kualifikimin për në Champions.
Pak vlen e kaluara, ndërsa e tashmja është kjo që e dimë të gjithë.
U deshën 6 vjet që zikaltërit të riktheheshin në Ligën e Kampionëve, diçka që duan ta kenë si pikë nisjeje, jo pikë mbërritjeje.
Në Serinë A, gjërat shkojnë keq, sidomos pas humbjes me Parmën, por trajneri Spalleti, gjithsesi mbetet optimist dhe mund të hedhë një formacion të plotë ndaj Tottenham-it në “San Siro”, me skemën 3-4-3.
I vetmi që mungon, mbrojtësi Vrsaljko.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ne duhet të bëjmë më shumë, – shprehet ai, – në Champions duhet të jesh gjithnjë në maksimum, aq më tepër ndaj një kundërshtari si Tottenham-i. E dimë se çfarë duhet të bëjmë”.
Tottenham-i, gjithashtu nuk është në moment të mirë, me dy humbje radhazi në Premier.
Për më tepër, mungesat pritet të jenë të mëdha.
Nuk luan Tripier, as Alderweireld, që u lanë në Angli, ndërsa portieri e kapiteni Hugo Lloris, Sisoko dhe Dele Ali janë të dëmtuar.
“Nuk është vetëm Interi në vështirësi, por jemi edhe ne, – thotë trajneri Poçetino, – kemi mungesa dhe rezultatet nuk kanë qenë pozitive. Duhet të përmirësohemi, por unë kam besim tek skuadra dhe tek Harry Kane”.
Po në grupin B, luan edhe ekipi që shumëkush vazhdon ta quajë favorit për fitoren e Championsit, Barcelona.
Katalanasit e cilësojnë këtë trofe si prioritet.
“Më vjen mirë që lojtarët e quajnë të domosdoshme që të fitojmë Championsin, – thotë trajneri Valverde, – ne duam ta fitojmë, por kështu duan edhe shumë ekipe të tjera. Së pari, të kalojmë PSV-në që është një ekip holandez, pra shumë i rrezikshëm”.
Barça nuk pritet të ketë mungesa të rëndësishme, ndërsa në fushë do të udhëhiqen nga Messi, Coutinho apo Suarez.
PSV udhëtoi drejt Spanjës i ndërgjegjshëm sesa shumë do ta ketë të vështirë.
Kohët e arta kur fitohej Kupa UEFA dhe Championsi janë 30 vjet prapa, ndërsa sukseset e fundit kanë qenë deri në çerekfinale.
Trajneri Mark Van Bommel, kampion Europe me Barcelonën, nxiti lojtarët e tij që “mos mendoni për të marrë fanelën e Messit, por për të fituar, dhe pastaj grinduni mes jush për atë bluzë”.
Tottenham-i dhe Barcelona janë favoritë në ndeshjet që luhen në orën 18:55./abcnews.al