Ismael Bennacer është një nga afrimet e Milanit në merkaton e verës. Mesfushori është optimist për të ardhmen dhe nuk bën polemika për faktin se nuk ishte titullar ndaj Hellas Verona. Ai e pranon se ka ende për të mësuar, sidomos nga një mesfushor me eksperiencë si Biglia.
“Kam punuar me shokët e skuadrës dhe trajnerin. Po rritemi dhe jam i kënaqur. Është një sfidë e madhe për mua. Nuk më vjen keq që isha në pankinë ndaj Veronës, është diçka normale. Jam në dispozicion të trajnerit, jam një lojtar i ri dhe më duhet të punoj”, shprehet Bennacer për Sky Sport.
Më tej ai shton: “Biglia është rikthyer, është një lojtar i madh dhe më duhet të mësoj shumë prej tij. Kështu është futbolli. Më duhet të mësoj se çfarë ai ka dhe çfarë më mungon mua”. Nuk mund të mbetet jashtë diskutimit edhe derbi i së shtunës me Interin.
“Të gjithë duhet të jemi të të njëjtit mendim. Derbi është më i rëndësishmi për tifozët, por për ne është një ndeshje që vlen tre pikë. Milan-Inter është një ndeshje që të gjithë lojtarët dëshirojnë ta luajnë. Nuk mund të themi se njëra skuadër është më e fortë se tjetra. Ta shohim në fushë. Duhet të fitojmë, pasi kjo është prova e parë e madhe për ne. Interi është një skuadër e mirë. Të shohim çfarë do të bëjmë të shtunën”, ka deklaruar mesfushori i blerë nga Empoli. /abcnews.al