Ish-diplomati amerikan James Rubin ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë. Prej tre ditësh Rubin dëshmoi në Hagë përballë trupit gjykues për çështje të ndryshme dhe pyetje të drejtuara ndaj tij për ish-krerë të UÇK-së.
Në ditën e sotme në dëshminë e tij, ish-diplomati amerikan tha se UCK nuk kishte struktura formale të ushtriksë.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin ka treguar se gjatë vitit 1999, kishte biseduar me ish-presidentin e Kosovës dhe ish-drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me personat e zhdukur.
Para trupit gjykues, Rubin deklaroi se nuk ishte prokuror që ta pyeste Thaçin me detaje dhe t’i thoshte “më raporto për një muaj” për një rast të tillë.
“Me siguri që po, më duhet të them se kam biseduar shumë herë me Thaçin për kohë të gjatë dhe kur diskutoheshin tema të tilla, unë bëja atë që prisnin amerikanët nga përfaqësuesit e tyre”.
“Pra të pyesja, të interesohesha dhe t’i kërkoj atij të interesohej për këtë çështje. Përshtypja ime është se ai është përpjekur që ta bëjë këtë, unë nuk kam qenë prokuror nuk mund t’i thosha kam dëgjuar për atë rast dhe m’i thuaj të gjitha hollësitë. Po flasim për një situatë lufte përgjigja është jo”, tha ai në gjykatë.
Gjithashtu, në ditën e tretë të dëshmisë së tij në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-diplomati amerikan James Rubin, tha e ka mësuar nga James O’Brien se Hashim Thaçi se nuk guxonte ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë meqë është i kërcënuar me jetë në shkurt të 1999-s.
Këtë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja e tha para Gjykatës Speciale pasi avokati i Thaçit e ballafaqoi atë me një faqe libri të shkruar nga ambasadori Christopher Hill që ishte po ashtu pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje.

