Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji e ka cilësuar dështim operacionin “Forca e Ligjit” dhe vettingun në polici. Salianji ka thirrur në interpelancë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, të cili i drejtoi një sërë pyetjesh.
Ndër të tjera demokrati kërkoi që ministri të pranojë se kanë dështuar. Ai tha se vettingu në polici është ndërprerë, por ndërkohë struktura vazhdon të paguhet, duke i shlaktuar dëm buxhetit të shtetit. Salianji, e quajti si “film aksion” OFL-në, ndërsa pyet ministrin për vajzën që lexonte emrat e personave që OFL vendoste në shënjestër.
“Ju duhet ta pranoni që kanë dështuar. Kanë qenë dështime që kanë marrë nga buxheti i shtetit para që janë shpërdoruar. Ju thatë që e keni ndërprerë vettingun në policisë, ndërsa paguhen njerëz për këto struktura.
Pse nuk del më kjo goca me syze pas 25 prillit. Ku janë ata që dilnin si në filma aksion? Ku janë këta sot? A ka pasur apo jo selektivitet, mbrojtje politike për njerëz? A ka fuqi ligji përballë njerëzve që janë me mbrojtje politike nga PS?
Po mbështetës ruaj, ish deputet, deputetë aktuales që i ka kapur rrjeta e dekriminalizimit a i ka lajmëruar kjo vajza me syze? Po paraardhësi juaj a i ka shkuar kjo shkresa dhe nëse po a mund ta publikoni shkresën”, tha ai.
Lexo edhe: Çuçi: Kemi gati draftin, së shpejti me ndryshime në ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit
Deputeti Salianji ngriti shqetësimin për gjendjen e kriminalitetit në vend, duke theksuar se këta kontigjentë përdoren nga politika.
“Edhe publiku është i bindur që gjendja e kriminalitetit është në këtë gjendje se ju i keni përdorur këta për të kërcënuar dhe përdorur për fushatë për PS. Një pjesë e juaja e kanë përdorur edhe për tu pasuruar këtë kontingjent. Keni bërë për shkak se hanë e pinë me drejtues të lartë të shtetit, duke bërë që kriminelët të vrasin ku ta shohin ata që japin mesazh. E dini që në periudhën që ju drejtoni ka 18 raste vendosje tritoli”, tha ai.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj iu drejtua deputetit duke i kërkuar që të respektojë zëdhënësen e OFL, të cilin ai iu referua si “vajza me syze”, pasi është punonjëse e policisë. “Vajza me syze është punonjëse e policisë dhe keni detyrimin të respektoni të gjithë njerëzit me uniforma”, tha ajo. “Përdorimin seksist të gocës së OFL-së për të tërhequr vëmendjen e bëtë ju” u përgjigj Salianji.
Ministri Çuçi u shpreh më pas se ish-zëdhënësja e OFL-së, “sot është këshilltare në kabinetin e ministrit të Brendshëm”.
Emrat e subjekteve të OFL lexoheshin nga Eljes Breca, e diplomuar për psikologji dhe ishte pjesë e strukturës së Marrëdhënieve me Publikun të OFL-së. Breça ka eksperiencë në FNSH-në e Fierit dhe tani është këshilltare e ministrit Çuçi.
/abcnews.al