Interi po synon një blerje të rëndësishme nga Real Madridi. Bëhet fjalë për mesfushorin kroat Luka Modric, i shpallur si futbollisti më I mirë i botërorit të fundit në Rusi.
Luka Modriç është në merkaton e verës si kërkesë e Interit. Shënjestra e ekipit italian zikaltër është pikërisht mesfushori kroat. Edhe pse deri tani duket një ëndërr fantastike, lëvizjet janë bërë.
Eshtë programuar tashmë një takim me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez pas 8 Gushtit, sinjal ky se edhe për klubin spanjoll, futbollisti është në treg. Kroatit Modriç, i shpallur si lojtari më i mirë i botërorit Rusi 2018, i mbaron kontrata me Realin në vitin 2020, me një vlerë prej 10 milionë euro, plus 1.5 bonuse, ndërsa kostoja e kartonit të tij shkon në 50-60 milionë euro.
Edhe pse klubi zikaltër po ecën me kujdes drejt këtij investimi, duke mos dashur të zhgënjejë tifozët, duhet theksuar se negociatat për futbollistë të tjerë, si ajo me Vidal tashmë janë ngrirë nga klubi italian edhe pse ka një dakordësim për kilianin me Bajernin e Mynihut për 20 milionë euro, por Interi po merr kohë për këtë blerje.
Vetë Real Madridi duket në vështirësi, sepse pas ikjes së Ronaldos, nuk do jetë e lehtë që tifozëria të gëlltisë një tjetër largim të rëndësishëm, por nga ana tjetër, duhet edhe dëshira e vetë Luka Modric, njëlloj si për Ronaldon, e kjo do vendoset pas takimit që Modriç do ketë me presidentin e Realit.
Mesfushorit kroat i pëlqen ideja e transferimit në Milano, ku do gjente edhe shokë të kombëtares, si Brozoviç, Perisiç dhe Vrsaljko. Modriç është i lidhur me Real Madridin, por largimet e Zidanit e Ronaldos, me të cilët kishte marrëdhënie shumë të mira, e kanë prekur.
Në moshën 32-vjeçare, pas 6 sezoneve tek Real Madridi e 4 titujve të fituar të Ligës së Kampionëve, Modriç dëshiron sfida të tjera.
Nëse finalizohet kalimi i Modriç tek Inter, pas blerjes së Cristiano Ronaldos nga Juventus, seria A italiane do merrte një peshë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa vetë zikaltrit një kupë të mundshme./abcnews.al