Merkato e Interit është bazuar në Bundesligë. Pasi përforcuan krahun e djathtë të mbrojtjes me Achraf Hakimin, zikaltrit po tentojnë David Alaba. Austriaku ka vendosur të largohet nga Bayern Munchen, klub me të cilin ka një kontratë deri në verën e vitit 2021.
Antonio Conte e pëlqen shumë, sidomos prej faktit që 28-vjeçari mbulon disa pozicione në fushë. Ai mund të luajë si mbrojtës i majtë, mesfushori i majtë, qendërmbrojtës dhe qendërmesfushor. Alaba bën mirë edhe mbrojtësin e majtë në defensivën me tre, skemën që preferon trajneri i Interit.
Lojtari kushton 50 milion euro dhe ka një rrogë prej 11 milion eurosh në sezon. Drejtuesit e Interit janë takuar dy herë para pandemisë me Alaba dhe babanë e tij, aty ku kanë biseduar rreth transferimit në Serie A.
Nuk përjashtohet që anësori i majtë të përfshihet në operacionin që do të sillte kalimin përfundimtar të Ivan Perisic te Bayern Munchen. Gjithsesi, për lojtarin interesohen edhe Real Madrid, PSG dhe Manchester City, klube që po përgatisin ofertat e tyre për kampionët e Gjermanisë. /abcnews.al