Habia e parë ishte se përse shkuan në një stadium tjetër.
Interi e kishte në shtëpi ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Torinos, por ajo nuk u luajt në “San Siro”, veçse në Monzë.
Çfarë ndodhi?
Arsyeja është e thjeshtë dhe e rëndësishme, në impiantin legjendar të Milanos do të mbahet këtë të premte ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore, ndaj edhe nuk mund të luhej futboll.
Interi gjithsesi nuk e vuajti aq shumë këtë zhvendosje, duke fituar 2-1 e duke kaluar në gjysmëfinale.
Trajneri Kristian Kivu bëri ndryshime të rëndësishme në formacion, dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe për shkak të ngarkesës së madhe sezonale në Serinë A dhe në Champions, plus Superkupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klubet që në verë.
Vetëm të tillë si Mkitarian, Açerbi apo Turam ishin ndër titullarët e aktivizuar.
Golat u shënuan nga Boni në pjesën e parë dhe Diuf menjëherë pas pushimit, ndërsa për Torinon realizoi sulmuesi kroat I ardhur tani në janar, Sandro Kulenoviç.
Interi kërkon Kupën e 10-të të Italisë, ndërsa për herë të fundit fitoi në 2023, dhe pret rivalët në gjysmëfinale.
Sonte do të luhen sfidat Atalanta-Juventus, Napoli-Komo dhe Bolonja-Lacio./abcnews.al


