Moment më të keq ka kohë që nuk mbajnë mend. Liverpuli duket si një i vdekur që ecën, dhe udhëtimi i radhës në Champions, pas katastrofës në shtëpi ndaj PSV Eindhovenit, e dërgon në Milano.
Të kuqtë udhëtuan drejt aeroportit Malpensa, ndërsa në metropolin e madh të Lombardisë do të kenë sfidën ndaj Interit.
Rival shumë I fortë, dhe në një çast krejt të pavolitshëm, kur Mohamed Salah shpërtheu hapur kundër trajnerit Arne Slot, duke shkatërruar edhe atë pak atmosferë pozitive që kishte mbetur në skuadër.
Në një sezon tepër të vështirë, në të cilin Liverpuli ka vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit, dhe plot 9 humbje në 15 sfida që nga 23 shtatori.
Salah u stërvit me ekipin një ditë para ndeshjes, por u la në Angli, ndonëse tekniku Slot të paktën nuk ka shqetësime të rëndësishme në lidhje me dëmtimet apo pezullimet.
Yje të rëndësishëm si Virc, Isak, Soboslai, Ekitike, Van Dajk apo Alison janë gati.
Po Interi?
Italianët vijnë në këtë duel pas suksesit të thellë 4-0 ndaj Komos në Serinë A, ku shkëlqyen lojtarë të rëndësishëm si Lautaro Martinez, Markus Turam apo Çalhanoglu, ndërsa pozicioni është shumë I mirë, vetëm një pikë prapa kreut.
Në Champions, lombardët kanë katër fitore e vetëm një humbje, pësuar herën e kaluar në Madrid ndaj Atletikos, ndërsa trajneri Kristian Kivu është përpara një dileme.
Vështirë që tekniku rumun të mbajë të njëjtin formacion, pasi zikaltërit po luajnë ndeshjen e katërt në vetëm 10 ditë, pra ndryshimet mund në formacion mund të jenë Bisek në mbrojtje, Suçiç në mesfushë dhe Boni në sulm.
Dy ekipet kanë gjashtë ndeshje mes tyre në Champions, me 4 fitore të anglezëve dhe dy të italianëve.
Kualifikimet janë 2-1 për Liverpulin që fitoi ndeshjen e fundit në “San Siro”, 2-0 në 16 shkurt 2022.

