Ja ku u ekzekutua një tjetër himn për futbollin. Në një nga kthesat e forta të këtij sporti, u kuptua se nuk mund të shpallesh I vdekur edhe kur humb tri ndeshje radhazi, e kur kompromenton shanset për dy nga tre trofetë e mundshëm.
Interi tregoi në Katalonjë se mbetet gjallë, madje duke qenë I rrezikshëm, dhe barazimi 3-3 në gjysmëfinalen e parë në Champions ndaj Barcelonës I jep shpresë të madhe. Gjithsesi, përtej asaj nëse mund të jesh zikaltër apo blaugrana, vërtet që ndeshja në stadiumin “Montzhuik” ishte një dedikim për lojën e bukur.
E vërtetë që sulmin e bëri kryesisht Barça e trajnerit Hansi Flik, që në Itali po e krahasojnë si ithtar I filozofisë aventuriere dhe tepër të bukur të ish-teknikut çek, Zdenek Zeman.
Interi ishte aty, dhe madje pati dy herë epërsinë, deri në 2-0 e pastaj në 3-2. Sidoqoftë, në traditën në klasike italiane, u mbrojt fort, deri në 8-9 lojtarë pranë zonës, dhe provoi kundërsulmin.
Tepër cinik, por edhe me karakterin e kampionëve që duan të reagojnë pas disa dështimeve radhazi. Markus Turam shënoi dhe tregoi se përse u ndje mungesa e tij.
Denzel Damfris ishte një holandez fluturues që nga mbrojtja, me dy golat e tij. Në fund, vetëm një pozicion jashtë loje milimetrik I hoqi avantazhin 4-3 zikaltërit tjetër Mkitarian.
Po Barcelona?
Lamin Jamal u duk sikur po luante nga yjet, dhe katalanasit e mbyllën Interin në portë.
19 gjuajtje ndaj 7, 9 në portë kundër 3, 72 për qind mbajtje topi dhe kornet 7-2!
Shifrat flasin vetë, por një mbrojtje italiane është e vështirë të çahet shpesh, aq më tepër kur pëson tre gola.
Jamal, Ferran Torres dhe Rafinja ishin autorët e rrjetave për Barçën, ndonëse të fundit e futi në portën e tij portieri Zomer.
“Unë e vlerësoj shumë atë që lojtarët e mi bënë në këtë ndeshje. Luajtëm një futboll fantastik, ndonëse mënyra sesi pësuam golat nuk ishte aq e këndshme. Ne duhet të diskutojmë për këtë, por mënyra dhe stili sesi ne luajtëm ishin fantastikë”.
“Mama mia, – titullon në italisht “El Mundo Deportivo”, – Barça do të synojë finalen në Milano. Duel I çmendur! Lamin konsakrohet yll botëror!”
“Me Laminin gjithçka është e mundur”, – thërret katalanasja tjetër “Sport, që thekson se lojtari I Barcelonës habiti gjithë botën!”
“La Gazeta delo Sport” e cilësoi ndeshjen “yjore” dhe “të çmendur”: Avantazh zikaltër, por Jamal është një magjistar!
“Il Korriere delo Sport” “flet” spanjisht: Korazon Inter! Përfundon 3-3 gjysmëfinalja në Champions! Inzagi mposht Barçën, barazim dhe pendesa!”
Trajneri zikaltër Inzagi e përmendi këtë keqardhje.
“Ne u treguam të zotët. Bëmë ndeshjen që duhej, edhe pse e patëm të vështirë. Ishim ne që bëmë ndeshjen dhe më vjen keq për avantazhin 2-0 dhe për golin e anuluar nga Mkitarian. Na vjen keq që nuk fituam, por luajtëm ndaj skuadrës që në këtë moment është më e bukura dhe me nivelin më të lartë teknik në botë”.
Fati I kualifikimit do të vendoset në “San Siro” të martën e 6 majit, dhe shanset mund të konsiderohen të barabarta./abcnews.al

