Interi i paraprin ofertave që mund të marrë mesfushori i tyre, Marcelo Brozovic. Kroati është një nga titullarët e rëndësishëm te zikaltrit dhe drejtuesit e klubit kanë nisur nga puna për rinovimin e marrëveshjes me të. Aktualisht 27-vjeçari ka një klauzolë largimi që kap shifrën e 60 milion eurove.
Tuttosport raporton se Interi i ka ofruar një kontratë të re dhe paga do të jetë më e lartë për Brozovic. Nga 3.5, në 4.5 milion euro në sezon pritet të përfitojë mesfushori, nëse pranon ta nënshkruajë kontratën e re. Aktualja i përfundon më 30 qershor të vitit 2022.
Ajo parashikohet të zgjatet edhe me një vit tjetër. Brozovic është pjesë e Inter që prej vitit 2015, kur klubi italian e bleu atë nga Dinamo Zagreb. Nga atëherë për të ka pasur shpesh oferta nga klube të mëdha, me Manchester United që ka këmbëngulur më së shumti. /abcnews.al