Inter gati të sakrifikojë dy lojtarë për të marrë Dybala

schedule10:57 - 25 Mars, 2022

schedule 10:57 - 25 Mars, 2022

Plani i Interit për të arritur te Paulo Dybala është gati dhe me sa duket, bazohet në dy largime nga skuadra aktuale.

Këtë gjë e tregon sot “La Gazzetta dello Sport” e cila e zbulon me detaje dhe e quan si nëj “super plan” për të arritur te argjentinasi.

Ky është shkrimi i “Gazzetta dello Sport” në lidhje me këtë situatë:

“Zikaltërit nuk mund t’i lejojnë vetes të ulen në tavolinë me një lojtar si Vidal për të zgjatur kontratën. Vetëm ai peshon në bilancin e klubit 9,75 milionë euro në sezon. Nuk do të ulen me të sepse drejtuesit e klubit mendojnë se ai e ka mbyllur ciklin si zikaltër.

Ai këtë sezon është parë me dyshim edhe si një zëvendësues, e jo më si një titullar. Ndërkohë, Flamengo është skuadra që ka kontaktuar direkt lojtarin. Disa ditë më parë ka patur edhe një takim midis agjentit të lojtarit dhe klubit brazilian. Vidal do të ishte i sakrifikuari i parë për ardhjen e Dybalas tek Interi.

Tjetri është Alexis Sanchez, i cili mund të rikthehet në Argjentinë, te River Plate. Rroga e tij prej 10,5 milionë euro në sezon bashkë me taksa, peshon shumë për Interin dhe ai është thjesht një rezervë luksi. Por për fat të mirë, Inter është treguar i zgjuar dhe mund ta ndërpresë kontratën me kilianin 12 muaj para afatit përfundimtar, dhe do të paguante vetëm 4 milionë euro.

Kështu, plani i Interit është që të largojë dy kilianët nga ekipi dhe të lirohej nga pagat e tyre të larta, dhe të provonte që një nga këto paga të futeshin në xhepat e Dybala”, shkruan prestigjiozja italiane./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!