SHQIPËRI- Inteligjenca Artificiale po kthehet në një instrument të rëndësishëm që po përdoret gjerësisht jo vetëm nga qeveritë e vendeve në shumë procese, por veçanërisht nga sipërmarrjet.
Për shembull, Inteligjenca Artificiale do të integrohet në prokurime, arsim shëndetësi e tatime.
Por, sa e përdorin sipërmarrjet shqiptare?
Eksperti për sipërmarrjet, Rezart Lahi, i ftuar në emisionin “Money Report” në ABC News analizoi këtë risi botërore, e cila ka nisur të hedhë hapat e parë në Shqipëri.
Ai theksoi se vendi ynë ndodhet në hapat e para dhe përdorimi i inteligjencës vihet re më shumë te kompanitë e marketingut.
“Është një domosdoshmëri që duhet aplikuar. Jemi në fazat e para, vetëm disa biznese në Shqipëri kanë filluar ta përdorin inteligjencën artificiale.
Marketingu është sektori që përdor më shumë AI. Sipërmarrjet shqiptare kanë frikë ta përdorin Inteligjencën Artificiale”, tha ai.
Gjatë diskutimit, eksperti pohoi se përdorimi i saj ul kostot për bizneset dhe në këto kushte kjo risi do duhet të implementohet nga aktorët e tregut në vendin tonë.
“Inteligjenca artificiale ul kostot për bizneset, por kjo nuk e zëvendëson rolin e komunikimit njerëzor . Bizneset duhet të fillojnë të përshtaten dhe të investojnë”, shtoi ai.
Ai pohoi se Shqipëria ka të gjithë potencialin e duhur, që të përshtatet shpejt në fushën e teknologjisë dhe adaptimin e inteligjencës artificiale. Ky hap shtoi ai ka nevojë për ndihmë dhe incentiva konkrete nga qeveria.
“Shqipëria po përqafon këtë element të ri, ndoshta dhe më shpejt se Evropa në përshtatjen e risive teknologjike, sepse Evropa është më tradicionale.
Shqipëria i ka potencialet për t’u përshtatur sa më shpejt dhe nëse do ketë incentiva edhe nga qeveria”, tha ajo./abcnews.al