Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledjon Krisafi thotë se Hamasi e ka pasur të pamundur ta kryejë sulmin ndaj Izraelit, pa mbështetjen e Iranit.
Në një intervistë për ABC News, Krisafi u shpreh se ky sulm tregoi se inteligjenca izraelite dështoi.
“Nuk ka asnjë mundësi që Hamasi të organizojë atë sulm dhe të bëjë këtë lloj sulmi të përgjithshëm ndaj Izraelit pa mbështetjen e Iranit. Irani jep mbështetje ushtarake me raketa, me inteligjencë, me trajnime. Para disa kohësh ka pasur një takim të kreut të Hamasit që jeton në Katar, me kreun e Gardës Revolucionare të Iranit.
Pra, e gjitha sigurisht që nuk mund të bëhet pa mbështetjen e Iranit. Irani ka interesat e veta. Është një sulm i papracedentë, në një shkallë shumë të madhe, mënyra sesi u bë, i gjeti të gjithë të papërgatitur. Padiskutim që ky ishte një dështim gjigand i inteligjencës izraelite në këtë rast.
Por kam përshtypjen që Izraeli ishte i fokusar prej vitesh në Bregun Perëndimor, sepse me Hamasin ka pasur një lloj mirëkuptimi në heshtje mes dy palëve, ka pasur tensione të herëpashershme, kanë shkëmbyer zjarr me njëra-tjerën, por kanë ngelur në atë lloj situate. Padiskutim, ky është dështimi më i madh në 50 vitet e fundit”, theksoi ai./abcnews.al