Inteligjenca artificiale po përdoret si mjet propagande

schedule10:25 - 26 Janar, 2024

schedule 10:25 - 26 Janar, 2024

Inteligjenca artificiale tani po përdoret gjerësisht për të dëmtuar proceset zgjedhore në të gjithë globin.

Pas incidentit të telefonatave me banorët e New Hampshire, ku “Joe Biden” u kërkoi atyre të mos votonin në zgjedhjet paraprake, një video që qarkulloi në mediat sociale ditët e fundit tregon kryetarin e Stambollit duke “bërë deklarata” të cilat mund të sjellin për të kosto të mëdha politike.

Në veçanti, në videon e përmendur dëgjohet Ekrem Imamoglu duke thënë se “i kemi vjedhur kryetarit të mëparshëm shumicën e planeve për metronë e qytetit”. Para zgjedhjes së kryetarit aktual të bashkisë opozitare, administrimi i qytetit u mbajt për 15 vjet nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ( AKP ) e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Në videon reale, e cila në fakt është pjesë e fushatës së tij zgjedhore, Imamoglu rendit sukseset e zgjerimit të metrosë gjatë 4.5 viteve të tij si kryetar bashkie. Zëdhënësi i kryebashkiakut Murat Ongun dënoi publikimin e videos së montuar si një “përpjekje të AKP-së për të njollosur fushatën tonë zgjedhore”.

Zgjedhjet për kryetar bashkie pritet të mbahen të dielën më 31 mars. Pak ditë më parë, Erdogan emëroi ish-ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, si kandidatin e partisë në pushtet për postin e lakmuar.

“Kundërshtarët tanë po eksperimentojnë me forma të reja mashtrimi! Drone, imitimin e zërit, qytetarë të rremë”, shton Ongun në deklaratën e tij me shkrim.

Sipas faqes së internetit Duvar, të shtunën, më 20 janar, një grup dronësh bënë një “shoë” në qiellin e qytetit duke shfaqur mesazhin “Partia Popullore Republikane ( CHP ) e bëri Stambollin qytetin me autobusët më të këqij.

Më shumë se 1,850 prishen çdo ditë.”

Ekrem Imamoglu nuk u vu në krye të koalicionit opozitar në zgjedhjet kombëtare të pranverës së kaluar, një pozicion që u mbajt përfundimisht nga Kemal Kilicdaroglu.

Pas disfatës së këtij të fundit, koalicioni u shpërbë. Imamoglu ka bërë thirrje prej kohësh për “ndryshim rrënjësor” në CHP, dikur partia e kryeministrit të parë të Republikës Turke, Kemal Ataturk.

Shumë analistë e shohin atë si liderin e ardhshëm të opozitës së vendit pasi popullariteti i tij rritet ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme. Madje, gjatë fjalimit të fitores, kur fitoi qytetin, kishte thënë se “kush fiton Stambollin fiton edhe Turqinë”.

Sondazhet tregojnë se ai ka shumë shance të rizgjidhet. Megjithëse opinioni publik është i vështirë për t’u vlerësuar pasi mediat kryesore të vendit janë në pronësi të qeverisë, kanalet dhe faqet e internetit të pavarura raportojnë se qytetarët dhe turistët e Stambollit janë përgjithësisht të kënaqur me mandatin e tij.

“Do ta mbroj Stambollin sërish, po e nis sërish për aleancën e madhe në favor të qytetit”, ka  thënë ai kur shpalli rikandidimin gushtin e kaluar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!