Integrimi, Tirana ndahet nga Shkupi/ Ekspertja: E pritshme, ne s’kemi problematika siç kanë vendet e tjera të Ballkanit

schedule18:28 - 26 Shtator, 2024

schedule 18:28 - 26 Shtator, 2024

TIRANË– Një tjetër hap në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria pritet të hapë kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian më 15 tetor. Një burim në dijeni të këtij procesit, u shpreh se konferenca e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian do të duhet të mbahet po në këtë datë.

Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në korrik të vitit 2022, me një rrugëtim të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por vendi ynë do të vazhdojë rrugëtimin i ndarë nga Maqedonia e Veriut.

Ekspertja për çështjet evropiane, Nirvana Deliu, u shpreh se ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut ishte e pritshme, kur vjen puna tek avancimi për të hedhur hapa para drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë një interviste në edicionin “Tirana Live” në ABC News, me gazetaren Elisa Gjeranin, Deliu theksoi se Bashkimi Evropian vazhdon të na mbajë nën monitorim në çdo proces dhe reformën që bëjmë.

“Kjo ndarje e Shqipërisë me RMV ishte e pritshme. Ne monitorohemi në çdo hap, në çdo reformën që ndërmarrim. Konferenca e dytë ka ardhur e vonës, do duhet të kishte ardhur më herët, pasi kemi humbur dy vite. Do duhej që njëherë në vit të kishim një konferencë ndërqeveritare, por megjithatë reformat janë marrë, por akoma ka detyra për t’u bërë. Në çdo konferencë duhet të kesh unanimitet nga vendet anëtare. Kemi unanimitet të ambasadorëve të vendeve anëtare”, theksoi ai.

Ajo theksoi se në çdo konferencë ndërqeveritare, duhet që të gjitha vendet anëtare të bllokut të japin dritën jeshile.

E pyetur se sa pengesë mund të bëhet Greqia për Shqipërinë, duke përmendur këtu rastin “Beleri”, Deliu tha se më shumë gjashtë, vendi fqinj nuk do të aplikojë metodë bllokuese.

“Nuk e besoj se do të jetë më rrezik. Besoj se nuk do ketë problematikë më 15 tetorit, dhe mund ta themi se do ta kemi konferencën e dytë ndërqeveritare dhe duhet të shmangim këto veto, të cilat nuk lidhen me procesin teknik”, tha  ajo.

Ajo theksoi se Shqipëria nuk ka problematikat që kanë vendet e tjera të Ballkanit dhe në këtë kuadër, rruga drejt BE-së mund të jetë pa shumë pengesa.

“Ne nuk kemi problematikat siç kanë vendet e tjera të Ballkanit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe në hapim grup kapitujt, janë gjashtë të tilla. Do duhet t’i mbyllim një e nga një, ndërkohë kapitulli 23 dhe 24, që do jenë kapitujt që do hapen të parët, por do monitorohen dhe do mbyllen të fundit, pasi kemi të bëjmë me shtetin e së drejtës dhe demokracinë”, shtoi ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!