Integrimi përmes bashkive, Veliaj: Shqipëria, sot e para në rajon në këtë proces; të bashkohemi në një shoqatë bashkish

schedule18:43 - 13 Tetor, 2023

schedule 18:43 - 13 Tetor, 2023

Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës vendore në bashkitë e vendit, duke mundësuar shërbime publike më cilësore dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, përmes projekteve si “BE për Bashkitë”. Në një konferencë të organizuar në Tiranë, procesi i integrimit në BE u pa si nxitja më e mirë për përafrimin me legjislacionin evropian të pushtetit vendor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, u shpreh se sot Shqipëria është e para nga vendet e rajonit që ka avancuar në procesin e integrimit, e për këtë një rol të madh kanë edhe bashkitë. “Nëse në vitin ’92, Shqipëria ishte e fundit në të gjitha proceset ballkanike të integrimit, sot mund të themi se Shqipëria është e para. Falë këmbënguljes së Kryeministrit për ta shtyrë përpara dhe për të kapur kohën e humbur, si dhe vetë faktit që i është përgjigjur një organizatë e tërë bashkiakësh dhe ministrash, me ndihmën edhe nga kolegët ndërkombëtarë, që të ecin gjërat më përpara, sot jemi të parët në rajon në këtë proces. Shpresoj shumë që me informacionet e reja që do të dëgjojmë edhe nga Procesi i Berlinit, tani jemi në fazën kur ka filluar të flitet edhe për datë integrimi”, tha ai.

Veliaj përmendi faktin se bashkitë shqiptare janë duke jetuar ditët e tyre më të mira, ku veçoi Tiranën për rritjen e turizmit dhe fokusin te punët e së ardhmes, me projekte si Piramida dhe TUMO Tirana.

“Ne sot jemi duke jetuar ditët më të mia. Me gjithë vërejtjet apo ankesat që kemi, të cilat nuk ngurroj t’i them, sot jemi në momentin tonë më të mirë. Kur mendoj se trashëguam një situatë me 400 komuna, si 400 fise dhe 400 tribu, ku secila kishte kapon e fisit dhe njëri sabotonte tjetrin për një urë, këto lloj çudirash nuk ndodhin më. Është fakt që jetojmë në një ditë kur Kolegji i Europës do të ketë selinë e saj në Tiranë dhe e gjithë paria e Europës do të vijë për Procesin e Berlinit. Ndërkaq, sot turizmi është bërë pjesë e rëndësishme e bashkive. Para pak vitesh, 25% e ekonomisë së Tiranës ishin këmisha, tekstil; 25% atlete dhe këpucë. Pra, 50% e ekonomisë ishin punë që paguanin paga minimale, që dikush në Azi, si Vietnam, Indonezi, Indi, Kinë a Pakistan, mund t’i bëjë gjithmonë më lirë e më shpejt. Këto nuk janë punë të së ardhmes. Sot, 25% e ekonomisë së Tiranës është turizëm; kurse 25% është teknologji informacioni. Janë punë shumë herë më të paguara në qytetet tona, që prodhojnë ekonomi”, tha ai në fjalën e tij.

Kryebashkiaku Veliaj bëri edhe një ftesë për bashkim të të dyja shoqatave të bashkive në Shqipëri. “Këtu dua të bëj një ftesë sepse po bëhemi gazi i botës me dy shoqata. Nuk ka mundësi që të flasim për Kolegjin e Europës me të njëjtën fjali dhe pastaj të jemi si shqiponjë me dy koka kur vjen puna te shoqatat e bashkive. Ndërsa, shoqata tjetër, duke qenë se ka disa bashki të djathta anëtare, ajo ka edhe disa koka të tjera. Kjo nuk shkon! Nëse ka këtu çuna e goca, burra e gra të djathtë, nuk duhet të lëmë nam në mënyrë të tillë sepse këto janë muhabete të viteve ‘90 që të ndahemi për çdo mosmarrëveshje. Shoqata tjetër, sa ishte Voltana kryetare bashkie, kishte vetëm një anëtar, ndërkohë ne kishim 60. Pra, e kemi kaluar një herë këtë marrëzi. Dhe kjo është një ftesë e sinqertë publike, t’i japim fund kësaj ndasie”, tha ai.

Ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku shtoi se ende nuk ka një mekanizëm më efektiv për modernizimin institucional për zhvillimin e institucioneve se procesi i përafrimit në BE. “Ai proces në vetvete është procesi më modernizues, është më i strukturuar, megjithëse shumë i vështirë dhe ndonjëherë i koklavitur për institucionet e një vendi, që të kenë mundësi të zhvillohen dhe modernizohen në një kohë më të shkurtër. Në fund të këtij procesi mund të jemi të gjithë të sigurt që, si institucionet qendrore, ashtu edhe ato lokale, do të jenë institucione shumë herë më të afta e më të strukturuara për t’iu shërbyer qytetarëve, por dhe shumë herë më të gatshme për t’iu përgjigjur ndaj nevojave që kanë njerëzit”, tha Mazniku.

Edhe Hubert Perr, përfaqësues i delegacionit të BE-së në Shqipëri, pohoi se bashkitë kanë performuar mirë në procesin e integrimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!