Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka zhvilluar një takim dypalësh me homologen sllovene Tanja Fajon në kuadër “Tirana Diplo 2024”. Ai e konsideroi Fajon, mikeshë e Shqipërisë dhe përkrahëse e integrimit tonë në BE.
Sipas Hasanit, është bërë një përparim i vazhdueshëm në Reformën e Drejtësisë dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Sakaq, ministri theksoi se Sllovenia avokate e fuqishme për perspektivën tonë evropiane dhe të rajonit.
“Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në Drejtësi, ku vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, janë hapa pozitivë, ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është një faktor thelbësor. Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shënuar një përparim të dukshëm në këtë drejtim, ku nuk mungojnë rastet e profileve të lartë dhe të një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikase.
Arritjet në këto fusha bëjnë që progresi ynë të jetë i prekshëm dhe i dukshëm. Qeveria dhe institucionet janë të përkushtuara për të ruajtur vrullin në përpjekjet tona për reforma dhe për të garantuar që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë standardet e larta të kërkuara për anëtarësim.
Ndërtimi dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve është një tjetër fokus kyç. Ne po investojmë në trajnime dhe burime për të siguruar që institucionet tona mund të zbatojnë dhe monitorojnë në mënyrë efektive politikat dhe rregulloret që lidhen me BE-në.
Sllovenia ka qenë një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë një shembull frymëzues për reformat e suksesshme që një vend mund të bëjë për t’u integruar në familjen evropiane. Kjo mbështetje ka qenë vendimtare për ne, ndaj jemi të vendosur që të vazhdojmë në këtë rrugë me përkushtim dhe vendosmëri. Në këtë kontekst, dua t’i shpreh mirënjohjen tonë koleges Fajon, për kontributin e Sllovenisë, jo vetëm në drejtim të Shqipërisë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta siguroj atë që anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik.
Bashkarisht konstatuam se marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel shumë të mirë. Ne jemi të angazhuar për t’i thelluar edhe më tej ato, duke eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi në fusha si ekonomia, arsimi, kultura, dhe mbrojtja. Marrëveshja e nënshkruar para pak ditëve ndërmjet dy ministreve të Bujqësisë, nxit e mundëson rritjen e bashkëpunimit dhe sigurisë ushqimore. Së afërmi do të nënshkruhen dhe një memorandum në fushën e turizmit dhe një protokoll ndërmjet ministrive të arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë“, u shpreh ai./abcnews.al