Integrimi në BE, Bob Hand: Moment kritik për Shqipërinë

schedule21:00 - 7 Gusht, 2019

schedule 21:00 - 7 Gusht, 2019

Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit. Sipas Hand, në këtë moment vendi ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike.

Shqipëria ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për zgjidhjen e krizës që po kalon vendi. Kështu shprehet në një intervistë për zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand. Ai apelon që politika shqiptare të dialogojë vetë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve  pa kërkuar më ndihmë nga ndërkombëtarët.

“Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet. Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm. Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. U takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike”.

Zyrtari amerikan thekson se kriza politike po ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Shqipëria prêt vendimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe kryesimin e OSBE.

“Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e dimë se brenda BE-së ka vende që nuk janë pro zgjerimit dhe situata e sotme në Shqipëri ua bën më të lehtë këtyre vendeve të thonë le të mos i hapim dyert. Mendimi im është se Këshilli i Evropës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave. Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare”.

Për zgjedhjet e 30 qershorit, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër veç zhvillimit të tyre, pasi debati për datat nuk mund të zgjidhej në kushtet e mungesës së gjykatës kushtetuese./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!