“Integrimi, Kosova në vendnumëro”, analisti: Politika e Kurtit na ka dëmtuar, në katër vjet s’kemi asnjë njohje

schedule17:27 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 17:27 - 19 Dhjetor, 2024

PRISHTINË- Qeverisja e gabuar dhe polemikat e Albin Kurtit me partnerët ndërkombëtarë kanë ndikuar drejtpërdrejt në klimën integruese të Kosovës.

Në qeverisjen e Kurtit, vendi nuk ka patur asnjë njohje, madje as në procesin e dialogut me Serbinë nuk ka shënuar asnjë progres.

Këto treguese kanë bërë që Kosova të renditet  e fundit në Ballkanin Perëndimor, sa i takon proceseve euroatlantike.

Analisti politik Blerim Canaj, i ftuar në “Ballkan Update”, u shpreh se qasja që ka ndjekur Kurti në politikën e jashtme ka dëmtuar Kosovën.

Sipas tij, në këto vite Kosova jo vetëm që nuk ka patur njohje nga shtete të tjera, por ka cenuar edhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë, të cilët ishin garantues të lirisë dhe pavarësisë nga regjimi serb.

“Politika e jashtme që ka ndjekur Kurti e ka dëmtuar vendin. Kosova duhet të përpiqet që të marrë njohje, të përpiqet të integrohet në një organizatë ndërkombëtare, ne për katër vjet s’kemi asnjë njohje, nuk jemi anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare. Madje dhe partneritetet që kishte krijuar Kosova me gjenerata të tëra, që prej 1990, tani janë ftohur për shkak të tekave të eksponentëve politikë, të cilët e kanë përdorur për interesa të brendshme politikën e jashtme”, tha ai./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!