Integrimi europian, Alibeaj: Sot ditë e mirë për Shqipërinë, por një barrë e madhe prove për qeverinë

schedule12:15 - 19 Korrik, 2022

schedule 12:15 - 19 Korrik, 2022

Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për hapjen e negociatave për Shqipërinë, teksa në Bruksel mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Alibeaj thotë se politika në përgjithësi ndhe qeveria e Ramës në veçanti është e paaftë për ta integruar Shqipërinë dhe shqiptarët në familjen europiane.

ai shton se sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, por edhe një barrë  e madhe prove për qeverinë që tashmë duhet të japë provime të vështira.

Reagimi i plotë:

Tam-tamet për të katërtën herë të qeverisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në janë shenjë e qartë se këto 9 vite, hapat pas janë më të shumtë në numër se ato drejt integrimit. Shqiptarët janë një komb i orientuar qartas drejt vlerave europiane, dëshira dhe vullneti i tyre për të qenë pjesë e saj, kanë qenë dominuese këto 30 vitet e fundit. E megjithatë politika në përgjithësi dhe qeveria Rama në 9 vite është treguar e paaftë, nënçmuese dhe hera herës refraktare për ta integruar Shqipërinë dhe shqiptarët në familjen europiane. Notat “sovraniste”, përdorimi i euroskepticizmit apo justifikime të tjera kanë qenë boja që ka lyer rrënojat e një shteti të keqndërtuar dhe që nuk arrin dot të plotësojë standartet e kërkuara.

Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, një hap përpara për shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës së tyre. Por është në të njëjtën kohë dhe një barrë e madhe prove për qeverinë që tashmë duhet të japë provime të vështira. Nga ato që nuk i kalon dot me propagandën banale të së përditshmes kryeministrore. Sikundër është dhe një provë për të gjjthë klasën politike dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar standarte dhe për të përballuar sfida të standarteve europiane. Nga ato që nuk janë peng i shkollës së vjetër bolshevike të pengjeve të politikës shqiptare të tranzicionit! /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!