Integrimi, çfarë pritet të ndodhë me Shqipërinë e RMV-në pas pranimit të propozimit francez

schedule14:49 - 16 Korrik, 2022

schedule 14:49 - 16 Korrik, 2022

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi të shtunën propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Me votimin e këtij propozimi, i hapet rruga procesit të integrimit evropian. Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ndërsa deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Ligjvënësit në Kuvendin e RMV-së votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Kujtojmë se votimi vjen në një kohë kur vendi ka qenë i përfshirë nga debate në Parlament dhe protesta jashtë tij.  Por çfarë do të ndodhë tani me rrugën që do të ndjekin si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria për t’u integruar në familjen evropiane?

Kryeministri Edi Rama, në një reagim që bëri në llogarinë e tij në Facebook pas votimit të propozimit francez, bëri të ditur se delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Më herët gjatë korrikut kryeministri Rama e ka përsëritur qëndrimin e tij se nëse vendi fqinj nuk e pranonte propozimin e përgatitur nga presidenca francezë, atëherë Shqipëria do të ndahej nga Maqedonia e Veriut për ta vijuar e vetme rrugën drejt BE-së. Qëndrim ky i kundërshtuar nga opozita.

Tashmë, parashikimet janë që pas pranimit të propozimit francez, në fillim të javës së ardhshme mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së dhe menjëherë pas kësaj BE-ja do të fillojë negociatat me Shqipërinë.

Megjithatë, hapja e kapitujve do të mund të nisë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë bullgarët në preambulë, siç parashikohet me propozimin për zgjidhjen e kontestit.

Kështu, në mënyrë që të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet edhe përkrahja e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, parti kjo që bojkotoi votimin e propozimit në parlament.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por negociatat nuk i ka nisur asnjëherë, fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që u zgjidhur me marrëveshjen mes dy vendeve më 12 qershor të vitit 2018. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!