“Institucionet e drejtësisë kërcënohen nga ata që kanë pushtet”, Tabaku: SPAK të hetojë korrupsionin në qeveri

schedule12:35 - 11 Maj, 2022

schedule 12:35 - 11 Maj, 2022

Deputetja demokrate Jorida Tabaku në një deklaratë për mediet pas përfundimit të konferencës së mbajtur nga Rama për drejtësinë, u shpreh se është vetë kryeministri  që po i bën presion SPAK dhe institucioneve të drejtësisë. Tabaku i bëri thirrje SPAK që të hetojë personat politikë në qeveri, ku sipas saj korrupsioni është i përfshirë në të gjitha degët. Ndërsa ligjin për investimet strategjike e cilësoi një ligj që favorizon një grusht njerëzish.

Tabaku:Ky ligj po shkatërron pronën publike, po prish pasuri natyrore. Ky ligj duhet të ishte diskutimi kryesor në parlament. Vota Pro në konferencën e kryetarëve më ngjan sot me votën në Komisionin hetimor për inceneratorët. Kam bërë kërkesa për të marrë informacion se kush janë përfituesit e këtij ligji dhe kam rastisur në heshtjen totale të informacionit dhe të transparencës. PD kërkonte që të bëhej transparencë për të gjitha vendimet. Në të vërtetë ligjet për investimet strategjike kanë sjellë zero investitorë nga jashtë, zero investime. Është bërë si ligji i ndarjes së favoreve të qeverisë.  Duhet të vinte të jepte llogari për shkeljen e pronës publike dhe private. Shfaqja e radhës e Ramës shihet si një lloj presioni ndaj SPAK për të mos vazhduar për të hetuar këto afera ku në qendër duhet të ishte qeveria.  SPAK-un e inkurajoj të hetojë korrupsionin e përhapur në të gjithë qeverinë. Sot populli shqiptar do transparencë. Kërcënimi i institucioneve të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre ndodh nga ata që kanë pushtet. Unë i inkurajoj të vazhdojnë me aferën e inceneratorëve dhe masakrën zgjedhore. Të vazhdojë hetimi i gjithë personave politikë që sot po kërcënojnë drejtësinë. /abcnews.al/