Janë rritur eksportet e mallrave për periudhën janar – korrik. Të dhënat më të fundit janë publikuar nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit vlera e tyre përllogaritet në 185 miliardë lekë.
Në Korrik 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 7,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,2 %, në krahasim me Qershor 2018. Rritje pësuan edhe importet e mallrave të cilat arritën vlerën 58 mld lekë, 5,4 % më shumë në krahasim me një vit më parë dhe me 6,8%, në krahasim me Qershor 2018.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu se deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u rritur me 3,3 %, krahasuar me Korrik 2017 dhe me 13,7 %, në krahasim me Qershor 2018. Të përmbledhura në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, shifrat e eksporteve të mallrave arrijnë në vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5,0 %, krahasuar me 2017.
Kontrubuesit kryesorë në rritjen e eksporteve janë materialet e ndërtimit, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, makineri, pajisje, pjesë këmbimi. Negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje.
Në muajin Korrik vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2017 janë: Italia (6,2 %), Kosova (48,6 %) dhe Gjermania (10,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (-23,6 %), Greqia (-2,4 %) dhe Kina (-56,1 %). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,8 %, të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,1 %), Greqia (6,7 %), Kina (6,4 %) dhe Gjermania (6,0 %)./abcnews.al

