INSTAT: COVID dyfishoi vdekjet prill 2020-mars 2021, 3 qarqet që pësuan goditjet më të forta

schedule19:20 - 12 Maj, 2021

schedule 19:20 - 12 Maj, 2021

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se nga muaji prill 2020 deri në muajin mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë, në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm.

Gjatë këtyre 12 muajve, kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, ndërkohë që në vitin e mëparshëm kalendarik (ose në periudhën prill 2019-mars 2020), humbën jetën 21.8 mijë persona duke shënuar një rritje të vdekshmërisë me rreth 42.7%.

Sipas INSTAT, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje.

Nëse i krahasojmë këto shifra me tremujorin e parë të vitit 2020, ku janë regjistruar 6198 vdekje, ato tregojnë shtesë të dukshme të vdekshmërisë.

Rritja e fataliteteve ka qenë e lartë në të gjitha qarqet si në tremujorin e parë 2021, ashtu dhe përgjatë një viti pandemi.

Në tremujorin e parë, rekordin e mban Tirana, e ndjekur nga Fieri e më tej Elbasani, Durrësi e Vlora, ndërsa numri më I ulët ka qenë në Korçë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se edhe gjatë një viti pandemik, pasojat më të forta në humbjen e jetëve janë shënuar në qarkun e Tiranës, Shkodrës dhe të Lezhës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!