Inspektoriati i Lartë, KED rihap garën për vendet vakante

schedule14:23 - 10 Shtator, 2019

schedule 14:23 - 10 Shtator, 2019

Në mungesë të kandidatëve është shtyrë zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i emërimeve në drejtësi ka rihapur garën duke i kërkuar të interesuarve të paraqiten deri në datën 20 Shtator.

Gjykojnë, por nuk ka kush ti gjykojë ata që vendosin drejtësi. Duhej të ishte ngritur që në vitin 2017 Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, institucioni që do të duhet të hetojë gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për shkelje administrative. Mosplotësimi i numrit minimal të kandidatëve ka detyruar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të rihapë garën për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me 3/5 e deputetëve, mes 5 kandidatëve të përzgjedhur dhe listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Deri më sot ky Këshill ka lejuar kandidimin e 4 juristëve dy prej të cilëve nuk dihet ende nëse plotësojnë kriteret që përcakton ligji.

Kandidati Artur Malaj, gjyqtari i Apelit Administrativ, po përballet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me Komisionerin Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij nga detyra, pas konfirmimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Artur Metani, aktualisht Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, është në kushtet e ndalimit ligjor, për shkak se, brenda 10 viteve të fundit, ka qenë pjesë e stafit politik të një prej institucioneve kushtetuese kryesore atij të Presidencës.

Të vetmit që janë lejuar të kandidojnë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë Eris Hysi dhe Marsida Xhaferllari. Aplikantët e rinj për pozicionin vakant duhet të paraqesin interesin për kandidim, së bashku me dokumentacionin shoqërues pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, deri në datën 20 Shtator 2019./ABC News Albania/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!