Pacientët me diabet që rrezikojnë të humbin shikimin do të përfitojnë injeksionin që i mbron nga verbimi. Qeveria do të rimbursojë injeksionet për trajtimin e retinopatisë diabetike. Injeksionet do të jenë të rimbursuara plotësisht dhe do të administrohen në varësi të nevojave të pacientëve, duke garantuar që ata të marrin trajtimin e nevojshëm pa u shqetësuar për kostot.
Personat që diabeti iu ka dëmtuar enët e gjakut në sy duke i rrezikuar shikimin injeksionin që i mbron nga verbimi do ta marrin pa paguar, jo vetëm një herë në vit, por për aq kohë sa kanë nevojë sipas protokolleve mjekësore.
Pas këtij vendimi shumë prej pacientëve që me herët e linin trajtimin në mes për shkak të kostove nuk do ta ndërpresin atë.
“Tek pacientët diabetikë zhvillohen disa agjentë në sy të cilët nxisin zhvillimin e enëve të reja të gjakut dhe pacienti është shumë I predispozuar për të bërë edema të qendrës së shikimit apo hemorragji vitreale. Janë pikërisht këto gjilpëra në sy që kundërshtojnë këto agjentë duke mos lejuar ato të rrjedhin likid dhe formimin e enëve të reja të gjakut. Pacientët që duhet ti bëjnë janë ato që kanë edema makulare, enjtja të qendrës së shikimit, pacientët që kanë neovaza, zhvillime të enëve të reja të gjakut, që predispozohen për hemorragji, pacientët që kanë bërë hemorragji vitreale”, tha Brisilda Danaj, kirurge okuliste, QSUT
Në shërbimin e Okulistikës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë çdo vit shtohen rreth 650 pacientë të rinj që kanë nevojë për trajtim për shkak të retinopatisë diabetike.
“Protokolli nis me një herë në muaj, por kjo ndiqet çdo muaj, në varësi të asaj që ka reaguar syri nga trajtimi, se mund të ketë dhe një mbitrajtim. Këto janë injeksione të rimbursuara totalisht nga shteti. Të gjitha gjilpërat që ka nevojë pacienti për tu trajtuar”, shtoi kirurgia.
Retinopatia është një sëmundje e shpeshtë tek ata që vuajnë nga diabeti dhe një ndër shkaqet kryesore të verbërisë tek personat në moshë pune.
“Zhvillimi i retinopatisë diabetike varet shumë nga menaxhimi I diabetit. Fillon me ulje shikimi, pacienti shikon turbull, mund të shohin njolla të zeza në pamje në stadet e para. Nëse janë stade të avancuara diabeti mund të jap dhe hemorragji vitreale në sy. Pacienti ka një ulje të menjëhershme të shikimit si pasojë e shpërthimit të gjakut”, përfundoi Brisilda Danaj.
Shoqata e fëmijëve dhe të rinjve me diabet ka kërkuar vazhdimisht përfshirjen e injeksioneve trajtuese në listën e rimbursimit, pa kufizime kohore për të gjithë pacientët që rrezikojnë humbje të shikimit./abcnews.al


