“Informaliteti, pasoja afatgjata”, eksperti për punësimin: Duhet fushatë ndërgjegjësimi, më pas të ndërtohet një strategji

schedule14:25 - 4 Nëntor, 2024

schedule 14:25 - 4 Nëntor, 2024

Eksperti për punësimin, Erion Muça thotë se informaliteti është një fenomen shqetësues që sjell pasoja afatmesme dhe afatgjata. Në një intervistë për emisionin “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ai deklaroi se sipërmarrjet duhet të ndërgjegjësohen për deklarimin real të pagave.

“Kuptohet që nevoja për ndërhyrje në informalitetin e punës është domosdoshmëri disa vjeçare. Tani po shikohet dhe po del në pah pamundësia e skemës për të përballuar të gjithë nevojat jo vetëm për pensionet por edhe mbi hapësirën që këto pensione të jenë më të larta përballë indeksimit dhe vështirësive të jetesës në plan të përgjithshëm. Mendoj se informaliteti në punësim është shqetësues me disa pasoja negative afatmesme dhe afatgjata, duke u penguar mundësinë për një pension dinjitoz, dhe për të ndihmuar skemën për një rritje të caktuar pensionesh, për t’i dhënë të drejtën punonjësit lidhur me pozicionin e punës bazuar me një kontratë të rregullt. Pozicioni i punës dhe niveli i pagës nëse deklarohen të plota si në kontratë dhe në sigurime janë e vetmja besueshmëri për punonjësin që ka pasur një nivel të caktuar page që ta bëjë atë objekt rinegocimi në një vend tjetër ku shkon.“, u shpreh ai.

Ai thotë se së pari duhet kryer një fushatë ndërgjegjësimi me sipërmarrjet dhe më pas, në bazë të feedback-ut që merret, të ndërtohet një strategji për mënyrën se si do të luftohet informaliteti.

“Mendoj që çdo nismë e marrë me ngut do të duhet të jetë në fazë pilotimi duke ngacmuar ndërgjegjen dhe reagimin e sipërmarrjes nga 3-6 muaj dhe më pas të mblidhet një feedback dhe të ndërtohet një strategji dy vjeçare të mënyrës se si do të luftohet informaliteti, si do të kanalizohet përmes ndërgjegjes së sipërmarrjes, si do të veprohet me sipërmarrjet të cilat abuzojnë, gjë që do të krijojë më pas edhe instrumentet e nevojshëm të luftës kundër informalitetit.”, shtoi eksperti.

Muça u ndal gjithashtu edhe te synimi i qeverisë për ta ulur nivelin e papunësisë në 9.7 përqind. Eksperti tha se është e rëndësishme që të fokusohemi në dy mekanizma, mbajtjen nën kontroll të emigracionit dhe të punësimit të të rinjve sa më herët.

“Për mua një diferencë gati 0.10 për qind nga ky vit që shkoi është më se i mundshëm por duhet të kemi parasysh disa të dhëna të tjera, më i rëndësishmi emigracioni, duhet ta mbajmë në kufi që ulja e papunësisë të jetë organike dhe të mos jetë e kushtëzuar nga niveli i emigracionit. Së dyti, të fokusohemi te punësimi i të rinjve. Të punohet shumë me trajnime, zhvillim profesional, për t’i përgatitur për tregun e punës. Të ndryshojë orientimi në karrierë që ta aksesojnë punën shumë më herët sesa më parë. Dy instrumentet janë: të mbajmë në kontroll emigracionin dhe të fokusohemi te punësimi i të rinjve.“, u shpreh Muça./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!