Inflacioni në eurozonë/ Ngadalësohet në korrik, zbret në 5.3%

schedule13:58 - 31 Korrik, 2023

schedule 13:58 - 31 Korrik, 2023

Inflacioni në Eurozonë shënoi rënie në tremujorin e dytë të vitit dhe shifrat e reja treguan për një rritje të aktivitetit ekonomik duke sjellë lajme pozitive për vendet e bllokut.

Në korrik inflacioni zbriti në 5.3%, nga 5.5% që ishte në qershor megjithatë mbetet shumë mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane prej 2%. Ndërsa aktiviteti ekonomik në eurozonë u zgjerua me 0.3% tremujorin e kaluar, nga 0.2% i parashikuar.

Por, pavarësisht tkurrjes muajin e kaluar, sërish çmimet e artikujve ushqimorë vijojnë të mbeten të larta duke goditur buxhetet e konsumatorëve europianë.

Eurozona po përballet me një nivel të lartë inflacioni që prej vitit të kaluar, duke bërë që banka qendrore evropiane të ndërmarrë një seri të njëpasnjëshme të rritjes së normës së interesit. Me ndërhyrjen e fundit të pak ditëve më parë, ajo rriti normën bazë në 3.75%, më e larta e shënuar që prej vitit 2000.

Një pjesë e ekonomive të eurozonës treguan elasticitet duke u rritur përgjatë tremujorit të kaluar si ajo e Spanjës dhe Francës edhe përtej pritshmërive të ekonomistëve, ndërsa duket se situate nuk duket optimiste për ekonominë gjermane që duket se ka ngecur në stanjacion.

Në presionin e rritjes së çmimeve prej agresionit rus në Ukrainë, ekonomia gjermane hyri në recesion teknik në tremujorin e parë të vitit pas tkurrjes që shënoi në fund të vitit të kaluar, ndërsa në tremujorin e dytë rritja ekonomike ishte zero.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!