Inflacioni, Biden: Të mërkurën adresojmë rritjen e çmimeve në SHBA

schedule23:25 - 10 Nëntor, 2021

schedule 23:25 - 10 Nëntor, 2021

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të mërkurën se do të adresojë rritjen e çmimeve në Shtetet e Bashkuara.

Çmimet janë rritur 6.2 për qind në muajin tetor, në krahasim me vitin e kaluar, që shënon rritjen më të madhe në tri dekada, sipas Byrosë amerikane për Statistika të Punës.

Përveç kësaj shifre, çmimet janë rritur për 0.9 për qind nga shtatori në tetor.

“Inflacioni prek xhepat e amerikanëve, dhe kthimi mbrapsht i këtij trendi është prioritet kyç për mua”, ka thënë Biden në një deklaratë.

Komentet e presidentit Biden shpërfaqin gatishmëri të re për t’u përballur me problemin, që sipas Departamentit të Rezervave është konsideruar “kalimtar”.

Republikanët, në anën tjetër, e kanë akuzuar administratën se e ka injoruar këtë gjë.

Inflacioni ka zvarritur edhe disa lajme të mira për ekonominë amerikane siç është rënia e papunësisë dhe rritja e pagave.Shkalla e papunësisë ka rënë në 4.6 për qind muajin e kaluar duke treguar shenja të rimëkëmbjes së vazhdueshme nga recesioni i shkaktuar nga pandemia.

Biden e ka drejtuar gishtin te inflacioni edhe kur ka folur për rritjen e çmimeve të energjisë.

“Kam kërkuar nga Këshilli Kombëtar për Ekonomi që të tentojë të ulë shpenzimet, dhe kam kërkuar nga Komisioni Federal për Tregti që të reagojë ndaj çfarëdo manipulimi të tregut apo rritjes së çmimeve në këtë sektor” ka thënë ai.

Biden ka thënë se ende duhet bërë shumë punë, mirëpo sipas tij ekonomia është duke shënuar rimëkëmbje dhe është në gjendje shumë më të mirë, në krahasim me vitin paraprak./REL