Inflacion në Eurozonë, ndërhynë Banka Qendrore/ Ulen për herë të tretë brenda vitit normat bazë të interesit

schedule14:35 - 18 Tetor, 2024

schedule 14:35 - 18 Tetor, 2024

Banka Qendrore Europiane uli në mbledhjen e fundit normat e interesit, për të tretën herë radhazi që nga qershori. Sipas vendimit të fundit, norma kryesore e interesit ajo që BQE paguan për depozitat e bankave u ul në 3.25%.

Ndërhyrja sipas Bankës Qendrore Europiane është bërë bazuar mbi vlerësimin e përditësuar të inflacionit në Eurozonë dhe transmetimit të fuqisë së politikës monetare që institucioni ka ndjekur.

Sipas zyrtarëve të Bankës Europiane inflacioni që zbriti në shtator në 1.8% është në rrugën e duhur për të shkuar drejt objektivit. Megjithatë, zyrtarët europianë presin që inflacioni t’I rikthehet trajektores rritëse për të prekur një normë në 2% në pjesën e mbetur të vitit të nxitur nga çmimet e shërbimeve veçanërisht.

Me lehtësimin e politikës monetare, Banka Europiane synon të mbështesë aktivitetin ekonomik të Eurozonës që është në stanjacion e po ashtu përmes kostove më të ulëta të huamarrjes të nxisë shpenzimet.

Për tremujorin e tretë të vitit ekonomistët presin që ekonomia e Eurozonës të ketë një rritje modeste me 0.2% ndërsa si raport vjetor Banka Qendrore Europiane parashikon një zgjerim me 0.8%. vlerësimet për ekonominë në vitin e ardhshëm janë ulur nga 1.4% në 1.3%.

Ndërkohë, Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës është thuajse në recesion. Ekonomia gjermane parashikohet të tkurret me 0.2% përgjatë këtij viti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!