Një në gjashtë njerëz në mbarë botën preken nga infertiliteti gjatë jetës së tyre. Ky konstatim vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila në një raport prej 98 faqesh sqaron se rreth 17.5% e popullsisë së rritur do të përjetojnë infertilitet në një moment të jetës së tyre.
Në fakt raporti thotë se prevalenca ishte 17.8 përqind në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5 përqind në shtete me të ardhura të ulëta dhe të mesme. “Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme – infertiliteti nuk diskriminon”, tha në një deklaratë Tedros Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.
Referuar raportit, njerëzit në vendet më të varfra shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për kujdesin e fertilitetit krahasuar me njerëzit në vendet më të pasura.
Sipas kreu të OBSH-së , përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për të zgjeruar aksesin në kujdesin e fertilitetit dhe për të siguruar që kjo çështje të mos anashkalohet më në hulumtimet dhe politikat shëndetësore.
Steriliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit ose femrës, e përcaktuar nga dështimi për të arritur një shtatzëni pas 12 muajsh ose më shumë përpjekjesh.
Për ata që janë prekur, mund të shkaktojë shqetësim të konsiderueshëm, vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien e tyre mendore dhe psikosociale, tha OBSH-ja.
Shumica e kujdesit mjekësor për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e infertilitetit, duke përfshirë teknologjinë riprodhuese të asistuar siç është fekondimi in vitro, mbeten të pafinancuara dhe të paarritshme për shumë për shkak të kostos së lartë.
Agjencia e OKB-së zbuloi në një raport të veçantë mbi kostot e trajtimeve të infertilitetit se kostot mjekësore direkte të paguara nga pacientët për një raund të vetëm IVF janë shpesh më të larta se të ardhurat mesatare vjetore./abcnews.al