Infermierët në Klinikën Infektive në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë largim nga puna

schedule17:37 - 30 Shtator, 2020

schedule 17:37 - 30 Shtator, 2020

Infermierët në Klinikën Infektive në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë dorëheqje.

Pandemia e COVID-19 ka vështirësuar situatën e stafit mjekësor, por kjo duket se nuk është problemi i vetëm.

Infermierët kanë ngritur shqetësimet e tyre duke theksuar se ngarkesa në punë po bëhet e papërballueshme dhe puna me orare të tejzgjatura nuk është shpërblyer.

Ata kërkojnë që të miratohet ligji për të rregulluar veprimtarinë e tyre, pasi sipas tyre përveç mungesës së kushteve po i shkatërrohet edhe reputacioni profesional.

Gordana Beshliovska, njëkohësisht kryetarja e Shoqatës së Infermierëve, ka ngritur alarmin pasi shumë infermierë janë gati të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

“Kjo nuk është diçka që po ndodh tani, në këtë kohë pandemie, ky është një problem që ka ekzistuar me dekada. Infermieret nuk kanë përkufizim të punës së tyre dhe nuk i dinë detyrat e tyre. Pandemia do të marrë fund, por ne do të përballemi me largime edhe më të mëdha. Sipas informacioneve, tashmë dimë se shumë prej tyre janë duke dhënë provime në vendet fqinje dhe po presin vetëm fundin e pandemisë për tu larguar”, tha ajo.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se do të realizohet një zgjidhje afatgjate, duke ndjekur rrugën ligjore, shkruajnë mediat në Maqedoni.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!