India mund të rifillojë eksportimin e vaksinave për COVID-19ën

schedule14:13 - 16 Shtator, 2021

schedule 14:13 - 16 Shtator, 2021

Mes presionit global në rritje, India thotë se po shqyrton nga afër rifillimin e eksporteve të vaksinave për COVID-19ën, veçanërisht drejt Afrikës, e cila ka më shumë nevojë.

India është prodhuesi më i madh i vaksinave, por ajo ndaloi eksportimin e tyre në prill për të luftuar një rritje të madhe të virusit që tani e ka kryesisht nën kontroll.

Një person në dijeni të vendimit, i cili kërkoi anonimitet pasi nuk është i autorizuar të flasë me mediat për këtë çështje, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se me të paktën 61% të popullsisë së Indisë prej 944 milionë njerëzish që kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës ndaj koronavirusit, vendi tashmë ka një tepricë vaksinash.

Vendimi i pritshëm për të rifilluar eksportet vjen ndërsa Presidenti indian Narendra Modi përgatitet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme për të marrë pjesë në një samit të udhëheqësve të katërshes -Shtetet e Bashkuara, India, Japonia dhe Australia.

“Vendimi për eksportin është një punë e kryer”, tha personi. “India dëshiron të ndihmojë Afrikën si me vaksinat ashtu edhe me modelin e saj operacional për COVID-in”.

Të martën, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po zhvillon bisedime të vazhdueshme me zyrtarët indianë për të rifilluar furnizimet në kuadrin e platformës globale të shpërndarjes së vaksinave, COVAX.

“Na kanë siguruar se furnizimi do të rifillojë këtë vit”, tha zyrtari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward.

Ndërkohë, Bashkimi Afrikan kritikoi prodhuesit e vaksinave, duke thënë se nuk po u jepet një shans i mirë për të blerë vaksina. Bashkimi Afrikan iu lut vendeve prodhuese – veçanërisht Indisë – të heqin kontrollet e eksportit. Nga 5.7 miliardë doza të vaksinave të koronavirusit të injektuara globalisht, vetëm 2% kanë qenë në Afrikë.

Bashkimi Evropian po premton të dhurojë 200 milionë doza të vaksinave ndaj COVID-19ës për vendet me të ardhura të ulëta deri në mesin e vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri premtimin të mërkurën në Strasburg, Francë, gjatë fjalimit të saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian para Parlamentit Evropian. Zonja von der Leyen tha se 200 milionë dozat që BE -ja planifikon të kontribuojë do t’i shtohen një premtimi të mëparshëm për 250 milionë doza, të cilat ajo i përshkroi si “një investim për solidaritetin dhe një investim për shëndetin global”.

Zonja von der Leyen tha se “shkalla e padrejtësisë dhe niveli i urgjencës është i dukshëm”, me më pak se 1% të të gjitha dozave globale të vaksinave për COVID-19ën të administruara në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Le të bëjmë gjithçka të mundshme në mënyrë që të mos kthehet në një pandemi të të pavaksinuarve”, u tha ajo ligjvënësve të BE-së./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!