Parlamenti i Indisë ka miratuar një ligj historik që do të bëjë që 1/3 e vendeve të dhomës së ulët të mbahen nga gratë. Projektligji mori mbështetje ndërpartiake dhe u mbështet nga politikanët në të gjithë spektrin politik të Indisë, por disa shprehën rezerva se mund të duhen ende vite që kuota të zbatohet.
Sipas Associated Press, ky zhvillim erdhi për t’i dhënë fund një ngërçi 27-vjeçar dhe për të kapërcyer mungesën e konsensusit mes partive politike.
Por pritja nuk ka mbaruar, pasi ligji i ri nuk do të zbatohet për zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm.
Ai do të zbatohet në zgjedhjet kombëtare të vitit 2029 pas një regjistrimi të ri dhe rregullimit të zonave zgjedhore pas votimeve të vitit të ardhshëm, tha Ministrja e Financave Nirmala Sitharaman gjatë një debati në dhomën e lartë të parlamentit të Indisë të enjten mbrëma.
Dhoma e ulët e miratoi legjislacionin të mërkurën me një votim 454-2 dhe dhoma e sipërme e miratoi atë njëzëri, 214-0, të enjten vonë. Regjistrimi një herë në dekadë në Indi, i cili ishte planifikuar të bëhej në vitin 2021, është vonuar për shkak të pandemisë COVID-19.
Të gjitha partitë opozitare e mbështetën projektligjin dhe thanë se vonesa në zbatimin e tij është një padrejtësi ndaj grave. Ato kërkuan që ajo të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme kombëtare, të cilat do të mbahen para majit të vitit të ardhshëm./abcnews.al