Incidenti në Uzinën e Gramshit, shpërthen Duma: Rama po rrezikon sigurinë kombëtare, ta kishte dëgjuar Zelenskyn për turistët rusë

schedule12:08 - 21 Gusht, 2022

schedule 12:08 - 21 Gusht, 2022

Deputetja e Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me incidentin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh, ku tre të huaj, 2 rusë dhe një ukrainas tentuan të hynin në brendësi të saj.

Tre të huajt u arrestuan mbrëmjen e djeshme nga autoritete shqiptare, ndërsa dyshohet të jenë agjentë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Grida Duma thotë se kryeministri i vendit Edi Rama duhet t’i ishte përgjigjur pozitivisht thirrje së presidenti ukrainas drejtuar parlamentit shqiptar, që mos të pranoheshin turistë rusë, sepse rreziku që spiunazhi, apo kriminelë të luftës të hynin si turistë ishte i lartë.

Duma thotë se Rama nuk mbulon dështimin që e ka vënë sigurinë kombëtare në pikëpyetje.

Postimi i plotë i deputetes në Facebook

Kapitullim!!
Dy ushtarë në repart ushtarak, sulmohen me kimikate nga “turistë” rusë, që i vijnë qark uzinës së armëve, repartit ushtarak, me ditë e ditë, e fotografojnë e vëzhgojnë, dhe kanë edhe guximin të sulmojnë me kimikate ushtarë me uniformë.
Kjo është mbrojtja e vendit!!!
Kapitullim!
Gjithçka ka rënë!
Mbrojtja, shërbimet informative, siguria në parandalim.
Muaj më parë, e thamë dhe theksuam, që kërkesës se Zelenskit drejtuar parlamentit shqiptar, që mos të pranoheshin turistë rusë, sepse rreziku që spiunazhi, apo kriminelë të luftës të hynin si turistë ishte i lartë, duhet ti përgjigjeshim menjeherë pozitivisht.
Ja rezultati, sot çdo përdredhje e Ramës “ishin nuk ishin”; nuk mbulon dështimin që e ka vënë sigurinë kombëtare në pikëpyetje.
E gjitha sepse Rama, nuk ndan dot çfarë shitet e çfarë nuk shitet, çfarë mbrohet e çfarë nuk tenderohet mbi Shqipërinë.

Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?

2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.

Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.

Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!