Presidenti Putin ka akuzuar homologun ukrainas se inskenoi incidentin në ujërat e Krimesë për qëllime politike. Për Putin, gjithçka ishte një taktikë e Poroshenko për të fituar mbështetje popullore në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi homologun ukrainas Petro Poroshenko se inskenoi incidentin në ujërat e Krimesë vetëm e vetëm për të fituar pikë kur po afrojnë zgjedhjet presidenciale. Sipas Putin, i ndodhur mbrapa në sondazhe, Poroshenkos i duhej patjetër të bënte diçka për të rritur mbështetjen. “Mendoj se gjithçka ishte organizuar nga autoritetet ukrainase dhe mendja më shkon tek presidenti në detyrë, në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet e marsit”, deklaroi Putin. Kreu i Kremlinit theksoi se homologu i tij kishte vendosur të shpallte gjendjen e luftës edhe pa ndodhur incidenti i së dielës.
Më tej Putin insistoi se përgjigjia ushtarake e Rusisë ishte në përputhje me të gjitha normat, pasi anijet e marinës ukrainase kishin hyrë në ujërat territoriale ruse. “Kjo lojë politike do të marrë fund”, shtoi Putin, pak orë pasi Kremlini kishte njoftuar se do të dërgojë raketa të reja tokë-ajër S-400 në Krime muajin e ardhshëm.
Nga ana e tyre, autoritetet ukrainase hodhën poshtë akuzat dhe publikuan për mediat një hartë ku tre anijet tregoheshin jashtë ujërave të Krimesë në momentin e sekuestrimit. “Ne e dënojmë këtë akt barbar, tipik të regjimeve autoritare dhe do të shtojmë përpjekjet për të kthyer në shtëpi djemtë tanë”, deklaroi kryeministri Volodimir Groisman. /abcnews.al