Incidenti në Gramsh, Mediu: Të krijohet Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Putin kërkon krijimin e vatrave të konfliktit në Ballkan

schedule14:23 - 21 Gusht, 2022

schedule 14:23 - 21 Gusht, 2022

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka reaguar për ngjarjen e mbrëmshme në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, ku dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me spraj neuroparalizues nga tre shtetas të huaj, rusë dhe ukrainas.

Mediu shprehet se është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjencie të Sigurisë Kombëtare, e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare.

Po ashtu, kreu i PR-së, akuzon Rusinë dhe presidentin  Vladimir Putinin se ka për qëllim krijimin e “vatrave të tjera të konfliktit dhe tensionit në rajonin e Ballkanit, mbas pushtimit të Ukrainës.”

FATMIR MEDIU NË FACEBOOK

?Partia Republikane dënon ashpër sulmin ndaj ushtarakëve shqiptarë në Uzinën Ushtarake të Gramshit nga shtetas rusë.
?Duke vlerësuar ushtarakët për qëndresën dhe zbatimin e detyrës njëkohësisht i urojmë shërim sa më të shpejtë.
?Kërkohet që Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Kombëtar në mbështetje të Prokurorisë të hetojnë me seriozitet këtë sulm, agresion të paprecedent në territorin shqiptar, për më tepër ndaj ushtarakëve tanë, në një territor ushtarak nga shtetas rusë.
?Rusia dhe Putin ka për qëllim krijimin e vatrave të tjera të konfliktit dhe tensionit në rajonin e Ballkanit mbas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia.

?Shqipëria është përcaktuar qartë nga Putin dhe Moska si kundërshtar i Rusisë.
?Nuk është hera e parë që shërbimet ruse veprojnë në territorin tonë dhe në Ballkan.
Kujtoj shpërthimet në Rumani dhe Bullgari të organizuara prej rusëve.
?Shërbimet ruse nën petkun diplomatik kanë tentuar prej kohësh të korruptojnë ushtarakë dhe civilë shqiptarë për qëllimet e tyre subversive.
?Shërbimi Ushtarak Shqiptar ka pasur infomacione nga burime të ndryshme për koordinim të shërbimeve ruse, serbe dhe maqedone kundër Shqipërisë para marjes së ftesës për antarësim në NATO.
?Për fatin e keq, asnjëherë nuk kemi analizuar siç duhet çdo informacion apo ngjarje. Dua të kujtoj që Rusia dhe Serbia tentuan të organizonin një grusht shteti kundër Malit Zi për eleminimin e President Gjukanovic para antarësimit të Malit të Zi në NATO.
?Provokimet në Kosovë janë një politikë e koordinuar ndërmjet Rusisë dhe Serbisë.
?Është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjensie të Sigurisë Kombëtare e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare.
Jemi i vetmi vend në botë që ka një Këshill të Sigurisë Kombëtare aspak funksional dhe fatkeqësisht çështjet e sigurisë i trajtojmë në mënyrë diletante.

Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?

2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.

Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.

Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!